Hetimet, droga e Lazaratit me destinacion në Greqi
GJIROKASTËR - Prokuroria e rrethit të Gjirokastrës nisi të enjten hetimin ndaj shtetasit Petrit Telharaja, i cili u ndalua tre ditë më parë nga policia, teksa transportonte 296 kg lëndëve narkotike me automjetin e tij. Nga hetimet e para, dyshohet se lënda narkotike është marrë nga Lazarati dhe kishte destinacion Greqinë. Drejtuesi i mjetit ka tentuar që të kalojë përmes pikës kufitare të Ersekës për të shkuar në vendin fqinj. Burime zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës thanë të enjten se "prokurorët e çështjes kanë nisur verifikimin e provave materiale për të zbuluar origjinën e lëndës narkotike, si dhe ka zgjeruar hetimet ndaj personave që janë implikuar në këtë trafikim të paligjshëm". Sipas burimeve, oficerët e prokurorisë në bashkëpunim me specialistët e sektorit të Luftës Kundër Trafikimit të Lëndës Narkotike pranë policisë së qarkut të Gjirokastrës, kanë marrë në pyetje 40-vjeçarin Petrit Telharaja, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me institucionin e akuzës për të zbardhur të plotë skemën e trafikimi. Prokurorët pritet ti kërkojnë sot Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës vlerësimin e masës "arrest në burg" ndaj 40-vjeçarit. Shtetasi Petrit Telharaja u ndalua tri ditë më parë 12 kilometra larg hyrjes së qytetit të Këlcyrës, në afërsi të "Urës së Dragotit". Në furgonin e tij tip "Benz" u zbuluan 296 kg lëndë narkotike Cannabis sativa.
Gjendet i vdekur në mes të qytetit endacaku 45-vjeçar
FIER - Një endacak 45-vjeçar, që kishte strehë të vetme qendrën e qytetit të Fierit, është gjetur në orët e para të ditës së djeshme i pajetë nga kalimtarë të rastësishëm. Burimet zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se një telefonatë ka mbërritur të enjten në komisariatin e Fierit, përmes së cilës, është marrë njoftimi se kishte vdekur një person. “Viktima është shtetasi Bashkim Çepele, 45 vjeç, banues në lagjen ‘Kastriot’ të qytetit”- thonë të njëjtat burime, duke sqaruar se trupi i tij është gjetur në afërsi të godinës së Bashkisë së qytetit. Ai u dërgua menjëherë në spital, por mjekët konstatuan se kishte mbërritur pa shenja jete dhe ia dërguan morgut për procedurat e nevojshme. Nga hetimet paraprake të policisë mendohet se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e shkaqeve natyrale. Kjo, sepse nga këqyrja e trupit nuk është parë asnjë lloj dëmtimi, apo shenja të tjera, që mund të kenë ardhur nga faktorë të jashtëm, të tipit dhunë, apo goditje me armë, ose mjete të tjera. Dëshmitarë, që janë pyetur në polici kanë treguar se e kanë parë shpesh kohët e fundit në zonën ku u gjet i vdekur. Ai jetonte i vetëm, pasi ishte ndarë nga familja dhe ka qenë në kërkim të një pune, pasi mësohet ishte person i papunë. “Detaje rreth shkakut të vdekjes do ta japë ekspertiza mjeko-ligjore, por të dhënat e para janë për një vdekje natyrale”, - thonë burimet e policisë.
Infarkti i merr jetën 48-vjeçarit
KRUJË – Një 48-vjeçar është gjetur i vdekur në banesën e tij, ku dyshohet se shkak ka qenë një infarkt. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ditën e mërkurë në mëngjes, rreth orës 04:00, është gjetur i vdekur në banesën e tij shtetasi Shaqir Mulaj, lindur dhe banues në fshatin Rinas Krujë. Sipas tyre, nga veprimet e para hetimore mendohet se vdekja e këtij shtetasi ka ardhur si pasojë e një infarkti miokardi. Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Krujë. Ndryshimi i temperaturave ka shtuar ndjeshëm numrin e vdekjeve për shkak të sëmundjeve gjatë stinës së vjeshtës.
10 Tetor 2008