Sauers: “Vendimi i OKB-së nuk prek drejtpërdrejt Kosovën”
Mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të përcaktojë asgjë, por do të jetë një këshillë për diçka që ka ndodhur në të kaluarën e jo një udhëzim për të ardhmen. Kështu u shpreh shefi i misionit të Britanisë së Madhe në OKB, ambasadori Xhon Sauers gjatë një interviste lidhur me vendimin e OKB-së për kërkesën serbe. “Një nga shqetësimet tona ishte se propozimi serb ishte politikisht i motivuar. Megjithatë ne bëmë të qartë se ne besuam se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të duhet të marrë parasysh gjithë kontekstin e të gjitha ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke filluar me heqjen e njëanshme të autonomisë së Kosovës, në vitin 1989 deri në ditën e sotme”,- tha Ambasadori Sauers. “Nuk mendoj se do ta prekë Kosovën drejtpërdrejt. Mendoj se Kosova do të vazhdojë përpjekjet e saj për të kërkuar njohje ndërkombëtare. Janë 48 vende, së bashku me Portugalinë, që e njohu Kosovën një ditë më parë, dhe ne shpresojmë se vendet e tjera, përfshirë edhe ato në rajonin e Ballkanit, do të lëvizin përpara në javët e ardhshme. Mendoj se njohjet e gjëra, nga bota islame, nga Afrika dhe Azia si dhe Amerika Latine, gjithashtu do të ndihmojnë në krijimin e momentit, për të konsoliduar pavarësinë e Kosovës. Prandaj këtu ka shumë punë për udhëheqësit politikë të Kosovës për të bërë. Gjithashtu është me rëndësi që Kosova të përqendrohet në zhvillimin e saj ekonomik dhe të respektojë të gjitha provizionet, të mbrojtjes së pakicave dhe të garancive që janë hartuar në planin Ahtisari, që është bazë e pavarësisë së Kosovës, të cilën ne e kemi përkrahur fuqishëm”,- theksoi Shefi i misionit të Britanisë së madhe në OKB. I pyetur për votimin Sauers u shpreh se nga 80 vende që ose abstenuan ose votuan kundër, shumica ishin vende kryesore të BE-së dhe vende perëndimore, me të cilat duhet të bashkëpunojë ngushtë Serbia, derisa po ecën drejt integrimeve në BE dhe në strukturat euroatlantike. Ambasadori britanik theksoi se veprimi i Serbisë ishte politikisht i motivuar pasi kjo nuk ishte një çështje ligjore për Serbinë. Sauers u bëri thirrje serbëve që të pranojnë vendosjen dhe operimin e misionit europian EUXEX në të gjithë territorin e Kosovës pasi vetë Serbia ka nevojë të ndërtoje marrëdhënie të mira fqinjësore me vendet e rajonit. “Marrëdhëniet e mira me fqinjët është një pjesë e rëndësishme e kësaj për Europën. Prandaj kjo është një punë që Serbia duhet ta bëjë me partnerët europianë dhe në rajon”,- tha Sauers.
Mali i Zi njeh Kosovën
Kosova u njoh dje nga Mali i Zi duke u bërë shteti i 49-të që njeh Kosoëvn shtet të pavarur. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm i këtij vendi, Milan Rochen. “Qeveria njëzëri ka vendosur ta njohë Republikën e Kosovës”,- u tha ai reporterëve. Më herët parlamenti i Malit të Zi kishte miratuar një rezolutë për njohjen e pavarësisë së shtetit fqinj. Disa ditë më parë Kosova u njoh nga Portugalia.
10 Tetor 2008