Masivizimi i universiteteve dhe pasojat negative në arsim
Xhevahir Dulja
Unë personalisht, me përvojën e pedagogut dhe kërkuesit shkencor dhe me përvojë studimi e kërkimi, edhe jashtë shtetit mund të them; pari Masivizimi i arsimit është bërë i dëmshëm për Shqipërinë. Kjo sepse ka ulur shumë cilësinë e përgatitjes së studentëve. Së dyti, ulja e cilësisë ka ardhur, qoftë sepse tani nëpër kurse po dominojnë ata që nuk kanë bazën elementare të edukatës së punës, dhe sepse nuk kanë ardhur në universite për të mësuar; Kanë ardhur për të kaluar kohën, për t’u argëetuar, për të bërë njohje të reja... dhe meqë janë ...ka edhe një diplome që jepet në fund të periudhës së shkollës.
1- Efektet negative
Prezenca e këtyre të tepërtve influencon negativisht edhe mbi një kontigjent tjetër më serioz të studentëve. Jo vetëm sepse ndikon në psikologjinë e tyre, por edhe sepse niveli i mësimit do bjerë meqënëse pedagogu do të kërkojë t’i përshtatet nivelit të grupit që është një miks me ata që janë të interesuar të studiojnë dhe të atyre që nuk dinë bazat e lëndëve.
Po ashtu, universitetet kanë bazë materiale shumë të varfër ose edhe nuk kanë fare; laboratorë të papajisura me aparate e reagentë...Më mirë do ishte që ato fonde të pakta që ka Ministria ti përdorë për të rritur cilësinë e atyre që kanë nivel dhe duan të mësojnë në universitet. Kështu, jo vetëm i japim hakun të zotit (studentëve të vërtetë) por edhe përgatisim specialistë të mirë, të cilët me aftësitë e tyre të krijuara do ia shpërblejnë mundin vendit.
Meqënëse nuk bëhet kështu, papritur gjendemi përballë ish-studentësh injorantë, por me përgjegjësi të larta në shkencë dhe pushtet që ia kthejnë kusurin popullit të varfër me abuzime dhe keqtrajtime dhe kuptohet sa zhvillohet vendi.
Tmerri i të gjithave mbyllet me Part-times-at, që i bëjnë edhe një konkurrencë të padrejtë diplomave të studentëve të ditës, të cilët shpenzojnë gjithë vitin në universitet.
2- Ndërhyrja e shtetit
Nuk mendoj se qeveria duhet të shqyejë dyert e universitetit vetëm për të mos i lënë rrugës të rinjtë që të mos shkojnë kazinove apo të merren me drogë!!!!
Nuk po flasim në pozicionin e babait që vendos ta çojë djalin në universitet për të shmangur këto probleme, meqënëse shoqëria apo shteti nuk i ofron alternativa të tjera.
Ai "shteti" të mendojë. Ai ka në dorë gjithë instrumentet e duhura për t’i çuar gjërat në vendin e duhur. Ka instrumente që të japë alternativa të tjera atyre të cilët nuk janë të aftë apo nuk duan të studiojnë; Apo meqënëse nuk duam që të shkojnë kazinove, por i japim një universitet (e bëjmë të krekoset me gjëra të pamerituara) dhe pastaj, pas dy vitesh të diplomimit e bëjnë edhe ministër apo drejtor...të shumë gjërave. Kjo është forma për të shumëfishuar e rigjeneruar korrupsionin.
Këta të diplomuarit e rinj (jo ata të mirët), bëhen drejtorë dhe dhe pastaj kërkojnë ta "vjelin" pozicionin. Vetëm për punën nuk mendojnë. Janë këta që japin para për t’iu zënë vendin e punës të aftëve, dhe pastaj vazhdojnë po vetë të rigjenerojnë korrupsion.
3- Të jesh pedagog
Edhe për kërkimin shkencor mendoj se jemi në një gjendje të keqe. Çfarë kërkimi shkencor mund të bësh kur një pedagog mezi ka arritur të sigurojë një kompjuter, nuk ka internet, nuk ka drita, nuk ka laborator, nuk ka fonde për realizimin e punës; dhe për më tepër nuk ka kohë sepse koha e tij e punës është vetëm mësim-dhënia. Pedagogu në Shqipëri është kthyer në mësues. E gjithë koha e tij e punës mbulohet me mësim. Ai nuk ka kohë tjetër për kërkimin shkencor. Një pjesë e mirë e pedagogëve për tezat dhe artikujt që publikojnë shkojnë jashtë shtetit (në ato rastet kur gjejnë bursa të financuara), për të punuar në universitetet dhe institutet e huaja. Nëse nuk do të ketë mundësi bën tezën, ashtu siç janë shumë "teza" që kam parë unë që paraqiten në Shqipëri; sipas modelit; kopjo e rishkruaj. Të gjithë e dimë si duhet bërë, por problemi është se nuk bëjmë dot gjë. Nuk e di sa u intereson qeveritarëve tanë të na dëgjojnë dhe se sa u dhemb për arsimin dhe shkencën në Shqipëri.
Temat për debat në “Skaner”
Moderatorët e debatit në Albania, ftojnë lexuesit që të marrin pjesë në dy tema që pritet të nisin në faqet e gazetës:
1- Varfëria dhe ndikimi në jetën sociale të shqiptarëve
2- Krimi në familje; shkaqet dhe pasojat e një shoqërie në tranzicion
10 Tetor 2008