E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët në hetim për vdekjen misterioze të 19-vjeçarit



DURRËS – Vdekja e një 19-vjeçari është bërë shkas që të nisin hetimet për mjekët e Spitalit Rajonal të Durrësit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se më 30 shtator, rreth orës 10:45 është paraqitur në Spitalin e Durrësit shtetasi Aldahir Aliu, banor i Lagjes Nr.13 në qytetin bregdetar. Sipas tyre, 19-vjeçari ka marrë mjekim për dhimbje koke. Pas mjekimit ky shtetas është larguar për në banesën e tij. Më pas, rreth orës 15:15 është risjellë nga familjarët në Spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka kaluar në gjendje kome. Në vijimësi të kësaj gjendje, më datë 5 tetor, rreth orës 16.00, ky shtetas ka ndërruar jetë. Burimet zyrtare të policisë vendore sqarojnë se lidhur me rastin në fjalë, që më datë 30 shtator janë kryer veprimet e para hetimore, të cilat kanë vijuar edhe pas vdekjes së tij. “Materialet e para hetimore i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës e cila po heton shkaqet e vdekjes së shtetasit Aldair Aliu”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit. Pritet që hetimet të përfshijnë edhe personelin mjekësor që ka trajtuar viktimën, në momentin që ka kërkuar ndihmë. Edhe familjarët pretendojnë se 19-vjeçari nuk ka marrë mjekimin e duhur në momentin që ka marrë goditje në kokë.

Mungon një avokat, dështon seanca për bandën e Durrësit

TIRANË - Mungesa e palës mbrojtëse është bërë sërish shkak të enjten për dështimin e seancës gjyqësore në ngarkim të “Bandës së Durrësit”. Edhe pse në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda ishin të pranishëm disa nga të pandehurit e “Bandës së Durrësit”, mes tyre edhe i akuzuari si kapo i saj, Lulëzim Berisha, procesi nuk është realizuar për shkak të mospjesëmarrjes së njërit nga avokatët mbrojtës. Në këto kushte, togat e zeza caktuan të enjten e ardhshme ditën për zhvillimin e seancës së radhës për “Bandën e Durrësit”. Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë epsiodesh të rënda kriminale, mes të cilave disa vrasje, të ndodhura vitet e mëparshme në Durrës. Shumë nga të pandehurit si anëtarë të kësaj bande, janë arrestuar këto tre vitet e fundit, në sajë të operacioneve të organizuara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›