E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumenti firmoset nga ministrat, falsifikohet në Fletoren Zyrtare

Një dokument zyrtar, që mban firmat e dy ministrave falsifikohet dhe botohet me ndryshime në Fletoren Zyrtare. "Fiks Fare" denoncoi dje botimin me ndryshime të një urdhri të përbashkët të dy ministrave në Fletoren Zyrtare. Bëhet fjalë për një udhëzim që mban numrin 9 të datës 26 shkurt 2008 dhe firmën e dy ministrave, atij të Financave, zotit Ridvan Bode dhe ministrit të Drejtësisë, zotit Enkelejd Alibeaj. Është një udhëzim që bën fjalë për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tatimin për kalimin e kësaj të drejte. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2008. Ky udhëzim ka të bashkëngjitur një listë me 28 qytete, ku përcaktohen kostot minimale fiskale sipas viteve dhe zonave, si dhe një shënim që përcakton mes të tjerash se çmimi për 1 metër katror për dyqane mallrash apo shërbimesh është 2 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit. Më 3 mars 2008 doli në botim Fletorja Zyrtare me numër 30 që përmban edhe këtë urdhër. Por ka disa ndryshime. Ndryshimet janë vetëm në faqen e fundit, në shtojcën nr. 3 që përmban tabelën e çmimeve minimale të shitjes së ndërtesave për qytetet dhe një shënim shpjegues pas saj. Çuditërisht në Fletoren Zyrtare shtojcës nr. 3 që shoqëron urdhrin e dy ministrave, i mungon qyteti i Vlorës në listën e qyteteve. Kjo tabelë në urdhrin origjinal të dy ministrave përfundon me nr. rendor 28, ndërsa në Fletoren Zyrtare përfundon me numrin rendor 27. Gjithashtu është ndryshuar edhe koeficienti i çmimit për 1 metër katror . D.m.th nga 2 herë më i lartë që ishte çmimi për çdo 1 metër katror sipërfaqe ndërtimi për dyqane mallrash apo shërbimesh, e pasqyruar kjo në shkresën origjinale të urdhrit, në Fletoren Zyrtare ulet me 05, pra bëhet 1,5 herë më i lartë. Shënimi që shoqëron këtë urdhër nga gjashtë pika që kishte në kopjen origjinale, në Fletoren Zyrtare është botuar me shtatë pika, pasi është shtuar diku nga fundi një pikë që përcakton se "Çmimi për 1 metër katror, sipërfaqe ndërtimi për qytetet, që nuk janë të listuara në këtë shtojcë, është kosto e shitjes për metër katror, e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin e fundit". Duke lexuar këtë pikë bëhesh kureshtar dhe kërkon me sy të gjesh se cili qytet mungon në shtojcën nr. 3 që shoqëron urdhrin e dy ministrive dhe konstaton se është qyteti i Vlorës. Por ky qytet ndodhet në shtojcën që kanë firmosur ministrat Bode dhe Alibeaj. Pra, për qytetin bregdetar të Vlorës, sipas urdhrit që ka hyrë në fuqi, pasi është botuar në Fletoren Zyrtare, çmimi minimal i shitjes së ndërtesave është përcaktuar nga Enti Kombëtar i banesave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›