E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neranxi, imuniteti votohet më 23 prill

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mori dje në shqyrtim kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollaq Neranxi. Pas diskutimit, ky këshill ra dakord që më 23 prill Kuvendi të votojë heqjen e imunitetit të deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetarja e Kuvendit, e cila drejtoi këtë mbledhje informoi anëtarët e Këshillit se në bazë të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, deputeti Nikollaq Neranxi është njoftuar për të paraqitur shpjegimet tij me shkrim apo me gojë. Por, shtoi ajo, meqenëse Neranxi nuk ndodhet në Shqipëri, ai ka paraqitur me shkrim një material ku sqaron pozicionin në lidhje me këtë çështje. Ky dokument i është vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit. Më pas, Kryetarja e Kuvendit theksoi se në zbatim të Rregullores, Këshilli duhet të procedojë duke respektuar të njëjtin princip, i kthyer tashmë në standard të Kuvendit, si në çdo rast kur është kërkuar heqja e imunitetit për shkak të korrupsionit. I pranishëm në mbledhje ishte edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Para pak javësh, Prokuroria e Përgjithshme depozitoi në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollaq Neranxi me pretendimin se pas hetimeve janë zbuluar shkelje të deputetit Neranxi, të cilat besohet të kapin shifrën e rreth 136 milionë lekëve dëm ndaj shtetit shqiptar. Kalimi i mallrave në doganë pa i deklaruar u zbulua fillimisht nga tatimet të cilat i referohen vitit 2004-2005 për abuzime edhe të vetë doganierëve në këtë çështje. Kjo legjislaturë do të mbahet mend për numrin më të lartë të heqjes së imunitetit të deputetëve. Kjo është hera e pestë që Prokuroria e Përgjithshme depoziton në Kuvend kërkesën e saj për kufizim imuniteti ndaj deputetëve. Organi i akuzës ka kërkuar heqjen e imunitetit për deputetët Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu, vendim që është mbështetur nga Kuvendi. Për deputetët Hajrulla Paturi dhe Andis Harasani megjithëse është kërkuar heqja e imunitetit, një gjë e tillë nuk është realizuar, pasi çështjet janë mbyllur, sepse nuk ka pasur objekt hetimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›