E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në mandatin e parë, përgjysmojmë varfërinë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, premtoi dje se në fund të mandatit të parë qeverisës të socialistëve varfëria do të përgjysmohet. Edi Rama ka zgjedhur qytetin e Laçit për të nisur turin për prezantimin e Programit të Ri Qeverisës, i cili do të marrë jetë pas fitores së 28 qershorit. Sipas liderit të opozitës, bëhet fjalë për një program, të ndërtuar mbi 7 shtylla kryesore. Rama ka zgjedhur pikërisht qytetin e Laçit, i cili është një qytet i varfër për të shpalosur një nga shtyllat e programit të tij, politikat sociale. "Unë jam besimplotë, se në fund të mandatit tonë të parë, varfëria ashtu siç e matim sot, do të përgjysmohet. Vlerësimi ynë është se varfëria reale, është rreth 40% dhe në zonat malore kalon mbi 50%. Aktualisht, 1 në 5 shqiptarë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë, ndërsa 1 në 10 jeton me më pak se 1 dollarë në ditë", deklaroi kryesocialisti. Rama vërejti se ajo që do të përbëjë shtyllën themelore të këtij programi, do të jetë zëvendësimi i ndihmës ekonomike si lëmoshë, me ndihmën ekonomike si mundësi reale si punësim dhe kontribut të drejtpërdrejtë në komunitet e në shoqëri. Ndër të tjera, kreu i PS-së vërejti se varfëria nuk është fat i keq i njerëzve, por pasojë e keqqeverisjes. "Ajo që dua të theksoj dhe përbën dallimin thelbësor mes programit tonë dhe rrugës tonë të re, mënyrës se si është kuptuar dhe trajtuar varfëria gjatë këtyre 18 vjetëve, qëndron në faktin se ne nuk do t‘i matim politikat sociale me rritjen e lëmoshës për të varfërit, siç bën qeveria e sotme, në vijim të keqqeverisjes dhe keqtrajtimit të këtij problemi prej 18 vjetësh, por do t‘i matim me numrin e familjeve që do të nxjerrim një herë e mirë nga varfëria. Dy ditë më parë, kreu i PS-së shpalli shtatë shtyllat kryesore të programit qeverisës duke startuar dje prezantimin e tij në elektorat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›