E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jensen: Integrimi? Duhen rezultate konkrete

Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen, deklaroi dje se korrupsioni vazhdon të mbetet kanceri i shoqërisë shqiptare. Këtë qëndrim ai e shfaqi gjatë një tryeze të organizuar në Vlorë nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, ambasadori Jensen nënvizoi faktin se Shqipëria ka shumë rrugë për të bërë në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas ambasadorit, "korrupsioni vazhdon të mbetet kanceri i shoqërisë shqiptare. Shqipëria e ka të pamundur të tërheqë investime të huaja me këtë nivel korrupsioni e krimi të organizuar që ekziston". Më tej diplomati i lartë vlerësoi se "për sa kohë ligjet nuk zbatohen dhe shpërfillen, drejtësia është e pandershme, korrupsioni dhe informaliteti është evident, Shqipëria nuk arrin të transmetojë mesazhin e duhur te partnerët në BE". I pyetur nga të pranishmit për procesin e liberalizimit të vizave, ambasadori Jensen tha se "regjimi ekzistues i vizave nuk është hequr, pasi Shqipëria nuk ka përmbushur standardet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian". Në lidhje me aplikimin e mundshëm të Shqipërisë si vend anëtar në BE, ambasadori Jensen theksoi se Shqipëria paraqitet me mangësi të theksuara të kapaciteteve administrative për shkak të lëvizjeve politike në administratë, megjithëse komuniteti ndërkombëtar ka shpenzuar një sasi të madhe fondesh në këtë drejtim. "Duhet pasur kujdes, pasi procesi i anëtarësimit në BE bëhet me vepra konkrete dhe jo me fjalë, pasi nuk është i ngjashëm me atë të lotarisë", u shpreh ai. Në vlerësimin e ambasadorit, Shqipëria duhet të demonstrojë që ka të paktën rreth 1000 persona në shërbimin civil që i njohin shumë mirë kapitujt e ndryshëm të legjislacionit komunitar që do të jetë objekt negociatash mes Shqipërisë dhe BE-së në të ardhmen. Në mbyllje të fjalimit të tij, ambasadori Jensen iu drejtua studentëve të auditorit të Vlorës me fjalët: "me votën tuaj duhet t‘i thoni JO korrupsionit, informalitetit, drejtësisë së pandershme, emërimeve klienteliste. Vetëm në këtë mënyrë ju mund t‘ia dilni".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›