E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSA, Greqia: E ratifikojmë shpejt

 

MARKO CAKA / Athine

Shqipëria duket se do të përfundojë procedurën e ratifikimit të MSA-së nga vendet e BE-së brenda vitit 2008. Pas Gjermanisë që e ratifikoi pak ditë më parë, tani ka ngelur Franca e cila është në fazën përfundimtare dhe Greqia. Por nga shteti helen vijnë sinjale pozitive, sipas të cilave kjo procedurë do të mbyllet shumë shpejt. Këtë e bëri të ditur dje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Jorgo Kumucaku. "Eshtë çështje proceduriale arsyeja dhe besoj se shumë afër do të kemi përparësi të shpejtë me miratimin e kësaj çështje", deklaroi Kumucaku, pas interesimit të gazetës "Panorama" se cilat janë arsyet që kanë penguar Greqinë të mos marrë akoma vendimin e ratifikimit të MSA-së së Shqipërisë me BE-në. Ai shprehet se vendi fqinj është për afrimin e vendeve të rajonit drejt BE-se dhe NATO-s. "Përsa i përket kësaj pyetje më jepet rasti dhe të lutem ta përmbani dhe të theksohet kjo. E ripërsëris se Greqia ka një strategji mbështetëse konstante, të afrimit të shteteve fqinje me strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Domethënë në BE dhe në NATO", tha Kumucaku. Sipas zëdhënësit grek, kjo zvarritje nuk ka asnjë arsye tjetër veçse një çështje proceduriale parlamentit helen. "Ratifikimi i MSA-së e Shqipërisë me BE-në në këtë kuadër ka një rëndësi të veçantë. E trajtojmë pozitivisht sepse besojmë se është një hap i domosdoshëm drejt afrimit, ku siç thashë është dhe qëllimi strategjik i Greqisë. Me të vërtetë nuk ka kaluar në parlamentin grek dhe nuk ka kaluar në diskutimin parlamentar firmosja e kësaj marrëveshje. Arsyet kanë të bëjnë vetëm me programin e procedurës parlamentare. Nuk ka arsye politike apo shkak tjetër, përveç kësaj", theksoi Kumucaku. Megjithatë, pavarësisht deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Greke, në Tiranë prej kohësh flitet për një kusht të vendosur nga Athina zyrtare për ndërrimin e katër varrezave të ushtarëve grekë, të vrarë në Shqipëri në këmbim të ratifikimit të MSA-së. Kjo është pohuar pjesërisht edhe nga nënkryetari i parlamentit grek, Jorgos Surlas, i cili në një intervistë për "TV Alfa", deklaroi se do të votonte kundër marrëveshjes së Shqipërisë dhe BE-së, nëse qeveria shqiptare nuk mban premtimin për varrezat greke dhe për ngritjen e memorialëve. Ai deklaroi se kishte marrë mbështetjen e autoriteteve shqiptare, përfshi Presidentin e vendit, Bamir Topi dhe Kryeministrin Berisha për gjetjen e eshtrave dhe miratimin e ngritjes se memorialëve dhe varrezave për ushtarët e rënë në luftë. "Por nëse kjo çështje nuk zgjidhet, unë do të votoj kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në", deklaroi Surlas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›