Rama: PS, politika kundër varfërisë
Kryetari socialist Edi Rama vazhdoi rrugëtimin e tij dje në fshatrat e Lushnjes. Gjatë bashkëbisedimit me banorë të fshatit Grabian, Rama është përballur me një gjendje të vështirë ekonomike, me probleme të papunësisë, të shtrimit të tryezës për fëmijët e këtij fshati. Dëshmitë e banorëve në këtë bashkëbisedim kanë qenë rrëqethëse, prindër që luten për pamundësinë e ushqyerjes së fëmijëve të tyre. Gjatë kësaj bisede një banore e Grabianit me fëmijën në krah, ka kërkuar politika qeverisëse në ndihmë të familjeve të varfra: "Fëmijët i kam të vegjël, nuk kam me se t'i ushqej, me 5 lekë që më jep qeveria nuk kam ç'bëj më parë, dritat i kam pa paguar, fëmijët i kam pa bukë. S'ka të ardhme, s'ka punë me ca t'i ushqej këta fëmijë?!" kreu socialist në këtë takim ka premtuar se politika e re e PSSH do të jetë një politikë solidare me të gjithë ata që jetojnë në fshat e qytet.