E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano kërkon nisjen e Shengenit Ballkanik

27/11/2004  Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Qeverive të Iniciativës së Evropës Qendrore, që zhvilloi punimet në Portorozh, të Sllovenisë. Në fjalën e tij, Nano ka theksuar idenë e krijimit të një vize Shengeni Ballkanik, që do të krijonte marrëdhënie më të forta në rajon. “Shqipëria prej disa vitesh është e angazhuar në krijimin e një hapësire të quajtur "Shengeni Ballkanik", është shprehur Nano. Sipas tij, këto vite janë karakterizuar nga ngjarje dramatike në rajon. "Konfliktet etnike, tranzicioni i gjatë e i vështirë nga njëra anë, si dhe reformat drejt konsolidimit të shtetit ligjor e të ekonomisë së tregut nga ana tjetër, u përcollën me vështirësi dhe pasoja ende të prekshme për një pjesë të vendeve të rajonit tonë”, tha Nano. Kreu i qeverisë shqiptare ka shprehur bindjen se procesi i zgjerimit të BE-së dhe NATO-s është një proces i hapur dhe i paprapsueshëm. "NEQ-i edhe në të ardhmen do të luajë një rol të dorës së parë për bashkëpunimin politik dhe dialogun midis anëtarëve të rinj dhe të vjetër të BE-së, si dhe vendeve aspirante për t'iu bashkëngjitur familjes evropiane dhe euroatlantike", tha Nano. Më tej, ai vuri theksin te vlerat e kësaj nisme për përmbushjen e një prej objektivave konkrete të saj, "mbartjes së standardeve nga vendet me status më të përparuar drejt vendeve të tjera, që janë duke i realizuar ato, në mënyrë që të bëhet e mundur jo vetëm përqasja e standardeve mes anëtarëve të kësaj familjeje, por edhe njësimi i tyre”. Nga ana tjetër, Nano shtoi se integrimi në strukturat euroatlantike nuk është një çështje që arrihet brenda ditës, por duhet kohë dhe punë. "Jemi të bindur për vlerat universale që mbartin sistemet që përfaqësojmë, ashtu siç jemi të bindur se kjo nuk është diçka që arrihet brenda natës, as për një dekadë, por është një sistem e mënyrë të jetuari në shoqëritë demokratike”, tha Nano. Lidhur me zhvillimet pozitive në rajon, Nano vlerësoi procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Kosovë, si “të karakterizuar nga një atmosferë demokratike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Po ashtu, ai përshëndeti zgjedhjen e qartë që bënë qytetarët e Maqedonisë në referendumin e datës 7 nëntor, “të bindur se kjo zgjedhje i shërben paqes, bashkëjetesës dhe stabilitetit të vendit, zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe përpjekjeve për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik të tij”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›