Yanal: Shqipëria na hapi dritën jeshile
28/03/2005 Në intervistat e dhëna pas takimit me përfaqësuesen kuqezi, trajneri i Turqisë, Ersun Janal është shprehur shumë i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij. Sipas tij në një ndeshje të tillë delikate, më shumë se çdo gjë tjetër kishte fitorja dhe skuadra e tij, ia arriti qëllimit. Për Janal, kjo fitore kundër kuqezinjve i ka hapur dritën jeshile përfaqësueses së Turqisë në rrugën e saj, drejt finaleve të Botërorit 2006. “Futbolli turk është duke ecur përpara dhe kjo falë një pune me të vërtetë shumë të mirë. Për momentin mund t’i gëzohemi rezultatit pozitiv, ky ishte qëllimi ynë dhe shpresojmë se tani do t’ia dalim deri në fund. Në ndeshjen me Shqipërinë, ne nuk ishim në gjendjen tonë më të mirë, por në një ndeshje si ajo loja mund të lihet në plan të dytë. Ne kishim për synim marrjen e tripikëve dhe ja arritëm në fund të ndeshjes. Kjo ishte më e rëndësishmja. Mendoj se kjo fitore kundër Shqipërisë na ka hapur dritën jeshile për të parë më optimistë drejt Gjermanisë”,- ka deklaruar fillimisht për “Ajansspor” tekniku i Turqisë, Ersun Janal. Pasi ka bërë një pohim të tillë, tekniku i skuadrës që në Botërorin e fundit u rendit e treta është ndalur te një analizë më e hollësishme e ndeshjes. Sipas vetë teknikut Janal, skuadra e tij ka qenë me dy fytyra në fushën e lojës. Një pjesë e parë ku skuadra u shpreh mjaft mirë dhe arriti të dominonte mbi kundërshtarin dhe një pjesë e dytë, që Janal e ka cilësuar si më të dobëtën e skuadrës që ai drejton. “Në pjesën e parë e filluam ndeshjen rrufeshëm dhe kjo u kurorëzua me dy gola shumë të shpejtë. Por më tej filluam të lëshonim në lojë duke i lënë mjaft terren Shqipërisë, e cila u hodh në sulm. Gjithsesi jam i kënaqur nga pjesa e parë e skuadrës. Krejt të kundërtën, mund të them për pjesën e dytë. Kjo pjesë nuk ishte si e para dhe sipas mendimit tim, forma e skuadrës ishte shumë e dobët. Madje do të thoja se kjo ishte pjea e dytë më e dobët e skuadrës turke, që kur unë drejtoj atë. Më dobët se kaq nuk ishim paraqitur asnjëherë”,- ka deklaruar më tej trajneri i Turqisë, Ersun Janal. Në fund të intervistës së tij, Janal është ndalur te ndeshja e rradhës, që do ta vërë skuadrën turke përballë Gjeorgjisë në Tbilisi. Sipas tij fitorja me Shipërinë ishte mjaft e rëndësishm edhe në kuadër të takimit të ardhshëm, të mërkurën kundër Gjeorgjisë. Për Janal, kjo do të jetë një tjetër sfidë e vështirë, por që do të kalohet me sukses nga skuadra e tij. “Pas Shqipërisë na pret një tjetër sfidë e vështirë, ajo në Gjorgji. Gjithsesi, fitorja e së shtunës ishte me shumë vlera dhe do të ndikojë pozitivisht te skuadra për përballjen e së mërkurës. Do të jetë një tjetër sfidë e vështirë, por mendoj se do ta kalojmë me sukses. Këto ditë që kemi në dispozicion do t’i shfrytëzojmë për të ndrequr disa gjëra, që nuk shkuan mirë në ndeshjen me Shqipërinë dhe mendoj se në Gjeorgji do të dalim me sukses”,- ka përfunduar tekniku i Turqisë, Ersun Janal.