Dominique Strauss Kahn u mor në pyetje nga policia

Policia franceze ka nisur të marrë në pyetje ish-shefin e FMN-së, Dominique Strauss Kahn, si pjesë e hetimit lidhur me një rrjet prostitucioni në veri të Francës. Strauss Kahn, i cili u kthye në Francë shtatorin e kaluar, pasi gjykata e New Yorkut hodhi poshtë akuzat për sulm seksual, mbërriti në rajonin e policisë në qytetin Lil.
Mësohet se ai është pyetur lidhur me skandalin që nisi pas zbulimit vitin e kaluar të një rrjeti, që siguronte prostituta për klientët e një hoteli luksoz në Lil. 8 persona janë arrestuar, përfshirë këtu edhe menaxherët e hotelit Karlton, biznesmenë dhe krerët e policisë lokale.
Që të gjithë tashmë janë nën hetim, nën dyshimin për prostitucion të organizuar. Çështja mori përmasa edhe më të mëdha, kur media franceze raportoi se emri i Strauss Kahnit ndodhet në porositë e zbuluara gjatë hetimit.