E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia arrestoi 9 terroristë të dyshuar turqë

Policia italiane ka arrestuar nëntë anëtarë të një celule terroriste e varur nga lëvizja turke Hezbollah, që nuk ka asnjë lidhje me grupimin me të njëjtin emër, që vepron në Liban.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave turqit e arrestuar akuzohen për favorizim të emigracionit klandestin.

Në kuadër të hetimeve janë kryer edhe rreth 40 bastisje. Arrestimet janë kryer nga policia e qytetit të Ternit dhe nga Shërbimi Qendror i Antiterrorizmit, nënvizojnë burimet mediatike.

Hetimet mbi këtë grup nisën pas arrestimit në rajonin e Lombardisë të një shtetasi turk, për të cilin ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për terrorizëm.

Duke hetuar personin në fjalë, hetuesit arritën të depërtonin tek një strukturë kriminale, tërësisht operative, e përbërë nga anëtarë të Hezbollahut turk.

Organizata, sipas detajeve të zbuluara gjatë hetimeve, sillte në Itali klandestinë kurdë dhe palestinezë me dokumente të falsifikuara, që u mundësonin atyre kërkesën për të kërkuar azil politik dhe leje qëndrimi.

Hezbollahu turk, një sekt islamik sunit, ka lindur në fillim të viteve të 80-ta, me qëllim krijimin e një shteti islamik të bazuar në ligjin islamik në territorin e Republikës së Turqisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›