E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomisti i komunës nga Gjirokastra, tentoi këmbimin e lëkëve fallso në Durrës

26/03/2005  Rasti i dytë, prangoset pas dneoncimit të kambistit

DURRËS - Mes tufës së lekëve, që do t’i këmbente me euro, kishte futur kartëmonedha shqiptare false me qëllim përfitimi, por vetëm pas dy orësh policia i vendosi prangat. Ngjarja ndodhi ditën e enjte në Durrës.

Një kambist denoncon në polici për tetë copë kartëmonedha të prerjes 1000 lekë false, vetëm pak kohë pasi ishte ndarë me klientin nga Gjirokastra. Ekonomisti Ymer Mullai, i lindur në një fshat të Gjirokastrës, i është drejtuar tregut të valutës në Durrës me 214.200 lekë për t’i kthyer në euro te një kambist vendas. Mullai, i datëlindjes 1981, me detyrë ekonomist në administratën e komunës Cepo, të Gjirokastrës, ka marrë në këmbim të lekëve 1700 euro, por, pasi kambisti B.Sh. ka kontrolluar lekët, ka konstatuar se 8 kartëmonedha të prerjes 1000 lekë, prodhim i vitit 1994, ishin të falsifikuara.

Pas kësaj u bë edhe denoncimi.

Sipas policisë, e cila ka arrestuar 24-vjeçarin Ymer Mullai, personi i ka futur qëllimisht paratë e falsifikuara në mes të lekëve të tjerë, ndërkohë që thuhet se pikërisht për këtë arsye Mullai ka udhëtuar nga Gjirokastra drejt Durrësit. Vetë autori i akuzuar nuk ka pranuar se ka patur dijeni për paratë false. Ai duket se do të ndërtojë dhe alibinë për t’i shpëtuar akuzës.

Ky është rasti i dytë brenda këtij viti që policia arrin të kap persona që vënë në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›