E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dominon kriza financiare

Ndryshon tema kryesore e samitit të Eurozonës në Bruksel

Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, po takohen në Bruksel për të diskutuar reagimin ndaj krizës globale financiare.

Britania dhe Gjermania, gjithashtu kanë propozuar edhe një rol të ri për FMN-në. Kryeministri britanik, Gordon Brown, tha se kjo, do të përfshijë edhe një sistem të hershëm paralajmërimi për ekonominë globale, që të parandalohet një krizë tjetër.

Udhëheqësit e BE-së, mund të krenohen me faktin se dolën në krye të betejës për përballimin e krizës financiare, por do të duhet më shumë kohë për të përballuar impaktin e saj në vendet e punës, shitjet dhe falimentimet.

Çështja e klimës

Z. Barroso paralajmëroi se planet ambicioze të BE-së, për të luftuar ndryshimet klimatike, që kohë më parë ishin përcaktuar si tema kryesore e samitit, nuk duhet të liheshin mënjanë, për shkak të shqetësimeve rreth kostos ekonomike, që kanë shprehur disa vende si Italia, Gjermania dhe Polonia. "Mendoj se do të jetë gabim, gabim global, nëse për shkak të kësaj krize financiare tani, bota do të harronte sfidën globale të ndryshimeve klimatike," - tha ai. "Ky do të ishte një mesazh shumë negativ, në fakt do të shënonte fundin e përpjekjeve globale në këtë çështje. Sepse, nëse Evropa heq dorë nga roli drejtues që ka marrë në këtë çështje, do të ketë më pak stimuj për të tjerët që ta ndjekin".

Shqetësimi ekonomik

Samiti, i cili pati një devijim nga tema që mendohej të kishte qenë kryesore, mund të kishte qenë i parehatshëm për Britaninë, por kryeministri Gordon Brown, mbërriti në të si shpëtimtari financiar. Diplomatët dhe zyrtarët evropianë, vazhdojnë të lëvdojnë kryeministrin, pasi plani britanik i shpëtimit, u mor si model për të shpëtuar financat e mbarë Eurozonës.

Por, kjo, nuk do të thotë se rruga përpara është e lehtë. Jashtë eurozonës janë dhjetë vende, të cilat kërkojnë garanci se nevojat e tyre nuk po injorohen. Mbeten për t'u shqyrtuar tani dhe problemet e ekonomisë reale. Shumë vende evropiane tani po anojnë drejt recesionit, ose po i ulin ndjeshëm ritmet e zhvillimit. Në prapaskenë po bëhen negociata të vështira rreth objektivave ambicioze të BE-së për ndrshimet klimatike, të propozuara në një periudhë ekonomike më të suksesshme. Disa prej vendeve kryesore duan që ato të ulen në mënyrë dramatike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›