"Njohja e Kosovës për interesa nacionale"
Zëvendëskryeministri maqedonas, Ivica Bocevski, në një intervistë tha se, njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, nuk duhet të prishë raportet e Maqedonisë me Serbinë, pasi Maqedonia ka raporte të mira ndërfqinjësore me të gjitha vendet e rajonit.
Zoti Bocevski, i cili është i lidhur edhe me proceset eurointegruese të Maqedonisë, fillimisht, thotë se, raporti i Komisionit Evropian, duhet të paraqesë situatën reale në Maqedoni.
I.Bocevski- Nuk ekzistojnë raporte bardhë e zi, raporte pozitive apo negative. Raportet hartohen sipas një metodologjie të qartë të Komisionit Evropian dhe, kjo metodologji, paraqet një pasqyrë reale të shoqërisë maqedonase dhe kuptohet, për të gjitha proceset, të cilat zhvillohen në Maqedoni.
Kur të kihet parasysh kjo, ashtu si edhe viteve të kaluara, edhe sivjet presim që raporti të përfshijë të arriturat tona dhe të caktojë drejtimet në të cilat duhet të përqëndrohemi për të vazhduar reformat.
Kohë më parë keni theksuar se mbi 75% të kërkesave të Bashkimit Evropian Maqedonia i ka realizuar, por këto pohime në një farë mënyre janë mohuar nga zyrtarë të Bashkimit Evropian?
Nuk ekziston një formë e tillë e komunikimit tonë me Bashkimin Evropian ku, sëbashku, kundërshtohemi apo kemi mosmarrëveshje në marrëdhëniet tona.
Bashkimi Evropian, kushteve për Maqedoninë, ushtoi edhe një kërkesë, atë që ka të bëjë me zgjedhjet?
Unë këtë e pohoj edhe në Maqedoni edhe me ndërkombëtarët, se, edhe në shoqëritë më të organizuara, mund të ketë incidente gjatë zgjedhjeve. Por, ajo që është me rëndësi, është se cilat institucione janë përgjegjëse për inicidentet. Ne angazhohemi që ta prezantojmë punën tonë. Kuptohet, raporti do të paraqesë analizë cilësore për punën tonë, për atë që kemi bërë deri tash dhe do të sugjerojë ku duhet të përqëndrohemi në të ardhmen.
Kur do të fitojë Maqedonia të drejtën e liberalizimit të vizave?
Gjatë vitit 2009.
A do ta irritojë Serbinë edhe më tej vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Prishtinës dhe Shkupit?
Republika e Maqedonisë, e udhëhequr nga interesat e saja nacionale, e njohu Kosovën. Dhe gjithë hapat e mëtejme, do të jenë të logjikshëm dhe që dalin nga njohja.
A prisni veprime më dramatike, a keni vlerësuar rrezikun e këtyre hapave?
Republika e Maqedonisë dhe e Serbisë, populli maqedonas dhe serb, kanë rrënjë të thella bashkëpunimi në shumë fusha. Kjo na bën që të kemi mirëkuptim për momentin dhe situatën në të cilën gjendet Serbia. Por, ne presim që, shumë shpejt, të ecim përpara sëbashku në procesin e integrimit evropian.
A mendoni se tani marrëdhëniet me Kosovën kanë më shumë prioritet për Maqedoninë se ato me Serbinë?
Republika e Maqedonisë është një vend shembull për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Vendi, i cili ka politikë më racionale dhe më të përmbajtur ndaj fqinjëve. Kjo frymë do të vazhdojë edhe në të ardhmen me të gjithë fqinjët, në shumë fusha.