Don Zhuani plak i Shekspirit vjen në opera
ALMA MILE
Ai nuk është aspak një Don Zhuan klasik. Ka një bark të madh, është i shkuar më moshë, por vetja i duket tepër i zoti me gratë e hokatar. Ndërsa është tërësisht e kundërta. Siç do të thoshte shekuj më parë vetë kompozitori “ai është një i trishtuar, që bën veprime të liga, por në formë argëtuese”. Historia gazmore e Don Zhuanit të dhjamosur “Falstaff” u ngjit mbrëmë për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Falstaff”, me muzikë të Giuseppe Verdit, libret të Arrigo Boitos, mbështetur në komedinë e Shekspirit “Gratë gazmore të Uindsorit”, vjen si një premierë absolute nën interpretimin e një stafi këngëtarësh e bashkëpunëtorësh, ndërkombëtarë nga Italia, Turqia, Bullgaria, etj. Kështu, mjeshtre koncertuese është dirigjentja italiane Gianna Fratta, janë ftuar për të interpretuar këngëtarët lirikë Cengiz Sayin, Dobromir Tzvetanov, të cilët dublojnë njëri-tjetrin në rolin kryesor, atë të Falstaffit, Sahap Cuneyt Unsal, Deniz Senözhür, kostumet vijnë nga Sartoria “Arrigo”, Milano, për të vijuar me stafin shqiptar, si Nikolin Gurakuqi si regjisor e skenograf, dirigjentët Alqi Lepuri e Dritan Lumshi, për të vijuar me këngëtarët Vikena Kamenica, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Armand Likaj, etj. Ndryshe nga të gjitha veprat e tjera të Verdit, të cilat përfundojnë tragjikisht, me vdekjen e heroinave të dashuruara, “Falstaff” është e ndërtuar e gjitha mbi lojën dhe humorin. Personazhet vënë në lojë njëri-tjetrin. Falstaffi bie pre e rrengut të ngritur nga dy ndihmësit e tij, mëtonjësit e padëshiruar përfundojnë me gra “të rreme”, ndërsa të dashuruarit, lidhen në martesë e “rrojnë të lumtur e të gëzuar”. Është një opera me tri akte, me shumë ritëm dhe veprime zinxhir që ndjekin njëra tjetrën. Regjisori Gurakuqi është kujdesur që veprës të mos i mungojë asnjë element i operës komike. Me stafin e zgjedhur, profesionalizmi muzikor gërshetohet bukur e natyrshëm me aktrimin dhe humorin. Siç thotë drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, “Falstaff” është një tërmet për jetën e një teatri të zakonshëm. “Gjithçka është e rëndësishme që nga figura më e thjeshtë në skenë, deri tek flauti “picolo” apo triangolo e orkestrës që identifikohen si personazhe”, - thotë ai.
Opera komike “Falstaff” është vepra e fundit e kompozitorit të madh italian Giuseppe Verdi dhe një ndër dy operat komike të tij.
Ishte 80-vjeçar atëherë kur kompozitori do të deklaronte se për më tepër se 40 vjet kish dashur të kompozonte një opera komike. Dhe ja në 1889 Arrigo Boito nis të punojë për libretin e “Falstafit” dhe ia dorëzon kompozitorit në fillimin e vitit që pasoi. Për kompozitorin e moshuar “Falstaffi” u bë si një “argëtim” për të kaluar kohën. Askush nuk i kërkonte afate. Në vitin 1892 i jep botuesit partiturën. Në 9 shkurt 1893, shfaqet premiera e operës “Falstaff” në operën e Milanos “La Scala” nën drejtimin e Edoardo Mascheroni. Shfaqja u ndoq nga një publik i zgjedhur mes të cilëve edhe mera të mëdhenj si Carducci, Giacosa, Puccini dhe Mascagni.
Verdit i mungonte një sukses i madh në operën komike, edhe pse kishte dhënë prova për aftësinë e tij ndaj operës “Bufa”, me notat e këndshme të humorit të përfshira në operat “Një ballo me maska” dhe “Forca e fatit”. Që kur Boito i propozoi Verdit subjektin e ri shekspirian, Falstaff ishte i realizueshëm, pa lodhje, dhe u bë suksesi i tij i radhës dhe i fundit sa qe gjallë. Prej atij momenti opera zuri në mënyrë të qëndrueshme skenat e gjithë botës, dhe u bë “guri i provës” për gjithë dirigjentët virtuozë si Mahler e Toscanini, Karajan e Bernstein.
Këngëtarët nga Turqia
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë shkelur këngëtarë nga disa vende të botës, kryesisht italianë, bullgarë, rumunë, maqedonas, amerikanë e francezë. Për operën komike “Falstaff”, për herë të parë vijnë artistë nga Turqia. Janë solistë lirikë të Operës së Izmirit, Cengiz Sayin dhe Deniz Senozhur Leone. Ky i fundit mësohet të ketë qenë nxënës i tenorit të madh Luciano Pavarotti. “Falstaff” do të shfaqet në datat 24, 26, 28, 29 dhe 31 maj.