Tirana feston e përçarë titullin
LEONARD KARAJ
Një festë e denjë për “Zonjën e Madhe”. Titulli i 24-t u festua në fushën e lojës nën një atmosferë të zjarrtë mes brohorimash dhe lotësh gëzimi. Por festa nuk mbaroi aty. Klubi iu drejtua presidencës së presidentit Bamir Topi, i njohur për tifozllëkun ndaj kësaj skuadre. Pas falënderimeve të rastit dhe një gote me kreun e shtetit skuadra iu drejtua rrugës së Dibrës te Selvia aty ku është edhe qendra e grupimit “Fantaics”, tifozët ultas më të “çmendur” pas ngjyrave të kësaj skuadre.
Festimet
Edhe aty birra dhe festa natyrisht më pak tradicionale se të presidenti Topi dhe shumë herë më të shfrenuar. Mësohet se skuadra qëndroi me tifozët e saj deri në orën 12:30 dhe pas kësaj gjithkush mori rrugën drejt pub-ve, diskotekave dhe karaokeve. Por ajo çka binte ën sy ishte fakti se si asnjëherë tjetër jo e gjithë skuadra u mblodh në të njëjtin vend për të festuar. Ashtu sikundër edhe në ditë të zakonshme edhe mbrëmjen e së shtunës në të gëthirë e dielë bardheblutë u ndanë në “klane”, sikush për hesap të vet. Ca te Capricio, aty ku rri zakonisht “miqtë” e kapitenit Devi Muka. Ca te Caramelo, ku preferon të shkojnë të rinjtë e sapo ardhur këtë sezon te Tirana e të tjerët të shpërndarë në pab-et e ish-bllokut asnjë bardheblu nuk ka shkuar dje në shtëpi para agimit të ditës së re.
Mbrëmja
Gjithsesi një gjë duhet saktësuar. Presidenti i skuadrës së Tiranës që ditë më parë pati theksuar se në rast fitoreje të titullit ai do ta mblidhte skuadrën mbrëmjen e së hënës në një festë gjithëpërfshirëse të klubit. Ndaj sonte pritet që të jetë edhe festa zyrtare e titullit të 24-t të Tiranës ku nuk do të mungojnë figurat më të mëdha të këtij klubi ndër vite. Pritet që në mbrëmjen e sotme të jetë edhe ish-trajneri Agustin Kola, ndërsa nuk dihet ende nëse do të jetë kroato-boshnjaku, Bllazh Sliskoviç i cili pati drejtuar Tiranën nga java e parë deri në të 14-ën për këtë sezon.
Pezo, çështja e parë e Tiranës
Kroati Toni Pezo dhe sulmuesi më i mirë i Tiranës, Mige Memeli janë dy çështjet e para që do të zgjidhen te Tirana që para pushimeve. Kroati është ën huazim nga Rijeka tek bardheblutë dhe pritet që të largohet nga Superliga. Por loja mjaft e mirë gjatë këtij sezoni ka bërë që drejtuesit e Tiranës të mendojë për blerjen e kartonit të tij ose minimalisht për shtyrjen e huazimit.
Memelli lë Tiranën për Dinamon?
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Memellin, kartoni i të cilit është në pronësi të GAIS Goteborg dhe këtë sezon ka qenë në formë huazimi te Tirana. Por nga sa mësohet futbollisti mund të kalojë të luajë për skuadrën e Dinamos në sezonin e ri. Blutë e kryeqytetit duket se kanë arritur një akord me futbollistin dhe së shpejti mund të hyjnë në tratativa edhe me klubin suedez për kartonin e Memellit.
Tirana, presidenca nga Halili te Ngjela
Me mbylljen e sezonit 2008-2009 mbaron edhe epoka Halili te Tirana. Sipas marrëveshjes së një viti më parë donatori Halili duhet ti lërë radhën e presidencës donatores, Shefikat Ngjela e cila doli e dyta nga shorti i hedhur nga katriada. Pas Ngjelës duhet të drejtojë Agron Papuli dhe në fund Avi Nuri. Por gjithçka mund të “prishet” nëse gjatë kësaj vere do të nisë privatizimi i KF Tiranës.