E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Donadoni, bleje vetë mbrojtësin”

 

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis është shumë i mërzitur me trajnerin e tij, Roberto Donadoni. Një ditë më parë tekniku i ka kërkuar presidentit të klubit të blinte edhe një mbrojtës krahu, pavarësisht milionave të shumtë të shpenzuar deri tani në merkato nga De Laurentis. Pikërisht ka qenë kërkesa e Donadonit e cila ka tërbuar presidentin napolitan, aq sa të shfryjë “vrer”, edhe përballë gazetarëve të pranishëm gjatë konferencës së tij për shtyp: “Donadoni ka thënë se na duhet edhe një mbrojtës krahu – ka thënë De Laurentis, i skuqur në fytyrë – Po i them Donadonit që nëse do një mbrojtës le ta blejë me paratë e veta. Nëse e blen ai aq më mirë për mua. Unë jam president dhe nuk jam tekniku apo drejtori i përgjithshëm i Napolit. Habitem se si ka mundësi që pas gjithë atyre blerjeve të kërkohen sërish futbollistë të tjerë. Besoj se e patë të gjithë Rulon gjatë pjesës së dytë, i cili në krah luajti mjaft mirë, duke hedhur edhe pasime të sakta në zonën kundërshtare”. Në përfundim, presidenti i Napolit, kur po përgatitej të ngrihej nga tavolina ngre zërin duke sulmuar edhe drejtorin e përgjithshëm të Napolit, Pierpaolo Marino: “Kemi shumë futbollistë në skuadër. Me ata mund të luajmë në dy kampionate paralele. I kam thënë Marinos, t’i marrë dhe t’i shesë, dhe më pas të blejë të tjerë. Habitem se si ka mundësi që për pesë vjet nuk kemi shitur asnjë futbollist”, ka përfunduar presidenti i Napolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›