E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fanella e Milanit, e shenjtë”

 

Sulmuesi holandez, 25-vjeçari Klas-Jan Huntelar, tashmë është zyrtarisht një futbollist i Milanit. Zyrtarizmin e transferimit drejt Milanos e ka bërë të ditur faqja zyrtare e klubit italian. Huntelar pritet të kryejë fillimisht vizitat e para mjekësore e më pas të firmosë kontratën katërvjeçare me klubin e Milanit. Ndërkaq avioni në bordin e të cilit ndodhej holandezi ka zbarkuar dje në “Malpensa” në orën 14:05. Me të mbërritur në Milano, sulmuesi është shprehur entuziast për aventurën e tij të re me skuadrën e “Djallit”: “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, shpresoj që me Milanin të fitoj sa më shumë trofe. Për ne holandezët fanella kuqezi është diçka e shenjtë, pasi pothuajse e gjithë Holanda është tifoze me Milanin”. Më pas sulmuesi “tulipan” ka shpjeguar: “Unë jam një futbollist altruist, më pëlqen shumë të jem i tillë, por më pëlqen shumë edhe të shënoj. Te Milani, premtoj se do shënoj akoma më shumë se në Holandë”. Huntelar nuk i kursen komplimentet për njërin prej idhujve të tij, sulmuesin kuqezi Filipo Inzagi: “Është një futbollist i madh, kemi gjëra të përbashkëta, por nuk jemi të njëjtë”. Ndërkaq, lajmin e transferimit të Huntelar te Milan, e ka zyrtarizuar edhe faqja zyrtare e klubit, e cila shpjegon edhe detajet e kontratës: “A.C. Milan komunikon se ka arritur marrëveshjen me Realin e Madridit për blerjen e Huntelar. Ai do i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas do firmos kontratën”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›