E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e botës kundër Berluskonit

 

Më në fund një gazetë angleze ka marrë Silvio Berluskonin si shembull për t’u ndjekur nga kryeministri britanik, Gordon Braun... por për fat të keq është tallja e radhës e së përditshmes “Daily Express”. Gazeta ka publikuar dy foto të Mara Carfagna-s, duke e përkufizuar “në formë të mirë”, në bikini në një plazh në Sardenja. “Sikur Gordon Braun të kishte ministre si kjo, mbase do ta kishte më të lehtë të fitonte zgjedhjet e ardhshme”, shkruan gazeta. Sipas saj, Carfagna “është e para në listën e gjatë të emrave të grave tërheqëse që kanë bezdisur Veronikën, gruan tashmë të larguar nga Berluskoni, kur ai në vitin 2006 kishte deklaruar se me shumë dëshirë do të ishte martuar me të po të mos kishte qenë i zënë”. Ndërsa gazetarja e “Independent”, Christina Patterson, publikon një foto të kryeministrit italian me të bijën, Barbara dhe kujton se “siç e ka zbuluar Berluskoni, paraja mund të blejë pallate e gra të bukura, flokë dhe dhëmbë, e shumë fuqi. Por nuk të blejë besnikërinë e fëmijëve”. Artikulli vjen një ditë pasi e bija e Berluskonit ishte deklaruar në një intervistë mbi krizën familjare duke i bërë të qartë të atit se për një politikan jeta private nuk mund të ndahet nga publiku. Ndërkohë “Financial Times” publikon një intervistë të prostitutës që bëri publike historinë e saj me Berluskonin, Patrizia D’Addario, ku thuhet se “Kështu funksionon në Itali”. Edhe në komentet e kësaj gazete përgënjeshtrohen deklaratat e qeverisë italiane mbi suksese në fushën financiare. Gazeta britanike “Times”, spanjollja “El Mundo” dhe argjentinasja “Clarín” merren me deklaratat e Palo Guzzanti, ish besnikut të Berluskonit, që sot e kritikon atë në mënyrë të pamëshirshme duke e quajtur atë me “sjellje kurvërie”. Por komentet më të këqija vijnë nga “Guardian”. Në një koment të  Alexander Chancellor e përditshmja diskuton planin qeverisës që bazohet mbi “vlerat britanike” për emigrantët në kërkim të një pasaporte angleze dhe citon Berluskonin si fundi i përballjes në tema hipokrizie mbi vlerat. Gazeta citon se kjo çështje është problem besueshmërie edhe për kishën italiane. Në të njëjtën mënyrë shkruan edhe spanjollja “El País”, sipas së cilës Italia është modeli i gënjeshtrave pa pasoja që ka frymëzuar presidentin e Valencias, Francisco Camps. Në Itali, shkruan “El País”, “Berluskoni i ndryshon ligjet sipas interesave personale dhe bën lëmsh e diskrediton imazhin e vendit të tij”. “Expansión” në Spanjë e quan “të pafytyrë pa limit” kryeministrin, i cili ka kritikuar propozimet e pagesave të “Real Madrid” në një moment krize. “Do të kishte preferuar t’i përdorte këto para për të mbajtur prostituta”, shkruan gazeta. Francezja “Express” publikon një letër të ambasadës italiane në Paris si reagim mbi artikullin e quajtur “Hetime mbi palaçon e Evropës”.
(Marrë me shkurtime
nga “La Repubblica”)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›