Kombëtarja B, barazim me inferiorët turq
TURQI- Kombëtarja B e Shqipërisë ka barazuar 2-2 me skuadrën e kategorisë së dytë turke Siirt Jetpa, në miqësoren e zhvilluar të shtunën në Antalia. Trajneri Josip Kuzhe ka kërkuar më shumë impenjim në takimin e djeshëm, duke u përpjekur që të lërë pas disfatën 2-1 ndaj Adanasporit 3 ditë më parë. E në fakt, kuqezinjtë kanë treguar një tjetër fytyrë në lojën e tyre, ndërsa impenjimi ishte ndryshe në krahasim me sfidën e së mërkurës.Takimi ka nisur menjëherë me gol për Shqipërinë, pasi në minutën e 3-të Odise Roshi i rrëmbeu një top kundërshtarit dhe hyri në zonë duke realizuar. Në të 13-tën, Lila realizon me kokë pas një goditje dënimi të ekzekutuar nga Bakaj, por arbitri kryesor (anësori nuk e ngriti flamurin) e anuloi golin për pozicion jashtë loje. Dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Gjergji Muzaka fitoi një goditje këndi, e cila u ekzekutua nga Sefa. Një moment që solli golin e dytë për Shqipërinë B, me autor Cikalleshin. Në të 65-tën, arbitri dha një penallti për Jetpën, ndonëse lojtari i tyre ishte nisur nga një pozicion jashtë loje. Turqit shkurtuan diferencën në 2-1, ndërkohë që 5 minuta para përfundimit, pas një rrëmuje në zonë, arritën të barazonin. Jetpa është skuadra që kryeson kategorinë e dytë në Turqi.(m.a/A Latifi/BalkanWeb)