Reshjet vënë në rrezik banesat, banorët në ankth
Katër banesa në një lagje të qytetit të Beratit rrezikojnë të shemben, si pasojë e shkarjes së tokës. Problemi ka kohë që është bërë i dukshëm, por reshjet e shumta gjatë periudhës së dimrit e kanë thelluar më shumë. Për katër vite me radhë, një pjesë e banorëve të lagjes "Kodra e Sulmit", jetojnë me ankthin se një ditë do të gdhihen poshtë rrënojave të shtëpive së tyre. Të ndërtuara mbi një nga kodrat e qytetit, banesat kanë kohë që janë bërë gati të pabanueshme. Muret janë plasaritur dhe tavaneve u ka rënë suvaja. Pas shqetësimeve të ngritura nga familjarët një vit më parë, një grup specialistësh të gjeologjisë studiuan vendin, ku janë ndërtuar shtëpitë dhe pas verifikimit të gjendjes deklaruan se banesat ishin të pabanueshme. Sipas tyre, vendi është tepër i pafavorshëm për ndërtime, pasi e gjithë kodra ka damarë uji, që përfundojnë në një përrua të vogël. Por edhe pse ekspertët dhanë alarmin për shpërnguljen e banorëve nga kjo lagje, pasi jeta e tyre vihej në rrezik, vështirësitë ekonomike i mbajnë ende aty. Ata kanë kërkuar ndihmën e bashkisë, por burime nga kjo e fundit pohojnë se nuk ka mundur të ndihmojë banorët, për shkak të mungesës së fondeve.