Rrëshqitje toke në Gramsh, evakuohen 2 familje
Përkeqësohet situata e rrëshqitjeve të tokës, në dy fshatra të rrethit të Gramshit. Të paktën dy familje në komunën e Kukurit, janë evakuuar, sepse banesat e tyre mund të shemben nga momenti në moment, ndërkohë dhjetëra të tjera janë të pasigurta. Komuna e Poroçanit dhe e Kukurit, rreth 40 km larg qytetit të Gramshit, vazhdojnë të jenë të rrezikuara. Sipas nënprefektit Gazmor Guri, janë konstatuar shembje të mëdha dherash dhe gurësh, në disa fshatra të këtyre dy komunave, por në fshatin Kalaj të komunës Kukër, është ndjerë nevoja imediate e zhvendosjes së dy familjeve të fisit Hysa, pasi shtëpitë e tyre rrezikonin shembjen. Ndërkohë mësohet se për momentin ata janë zhvendosur tek të afërmit e tyre. Tashmë, shtëpitë e tyre janë bërë plotësisht të pabanueshme. "Ne kemi vënë në dijeni edhe prefekturën e Qarkut të Elbasanit, si edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile për këtë rast" ka pohuar nënprefekti i Gramshit. Ndërkohë ai ka theksuar se nevojiten ndihma për këta banorë. Sipas Gurit, situata ka ardhur nga prania e ujërave nëntokësore në këtë zonë, të cilat provokojnë rrëshqitje dherash. Për momentin situata është më emergjente në fshatin Kalaj, por nuk mbeten jashtë rrezikut dhe banesat e fshatit Poroçar.