E Diel, 1 Nëntor 2026

Dondollaku: Nuk vij në Shqipëri, më vrasin

Numri dy i bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, nuk pranon
të vijë në Shqipëri, pasi pretendon se në vendlindje i rrezikohet
jeta. Në një letër që ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme,
nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, pohon se ai do të mbrohet në
procesin që do të fillojë së shpejti në Gjykatën e Krimeve të Rënda
nga avokati Vladimir Meçe. Dondollaku saktëson se avokati ka të
drejtë ta përfaqësojë, madje të paraqesë edhe prova në seancën
gjyqësore, por nuk "harron" që përfaqësuesi ligjor ka të drejtë të
kërkojë edhe gjykim të shkurtuar, pavarësisht se nuk i pranon akuzat
e prokurorisë, që e akuzon për disa vrasje në qytetin e Lushnjës, së
bashku me eprorin e tij, Aldo Bare. Ata akuzohen për krijim të organizatës
kriminale dhe për dhjetëra vrasje, që kanë terrorizuar banorët
e qytetit për vite me radhë. Prokuroria, përveç vrasjeve të dokumentuara, dyshon se Dondollaku ka marrë pjesë edhe në trafikun
e drogës, proces i cili ka mbetur në vendnumëro, pasi gjykata italiane
e ka dënuar me 18 vjet burg numrin dy të bandës së Lushnjës.
Sipas vendimit të gjykatës italiane, ai akuzohet se ka shpërndarë
lëndë narkotike dhe është dënuar me maksimumin e dënimit që
përmban Kodi Penal italian për këtë vepër penale. Por Enver Dondollaku
është marrë në pyetje në Itali edhe nga disa prokurorë shqiptarë
të Krimeve të Rënda. Para hetuesve shqiptarë, ai ka thënë
se Aldo Baren e njihte si djalë lushnjar, por nuk kishin pasur njohje
më parë. Thotë se Bare mund të ketë kryer vrasje, por ai vetë jo. Ka
pohuar gjithashtu se nuk dëshiron të vijë në Shqipëri, pasi i rrezikohet
jeta, duke ditur se procesi që është hapur ndaj tij është politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›