E Diel, 1 Nëntor 2026

Dondollaku dhe Bare, procese të ndara, gjyqtarë të njëjtë

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur
që gjyqtarët të cilët do të
gjykojnë Aldo Baren, do të përbëjnë
edhe Kolegjin Penal që do të shqyrtojnë
akuzat ndaj Enver Dondollakut.
Megjithëse janë procese të ndara, gjykata
vendosi të marrë këtë vendim, në pamundësi
të krijimit të një tjetër Kolegji
Penal që do të gjykonte numrin dy të
bandës së Lushnjës. Dy ditë më parë,
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që
të ndajë procesin gjyqësor, duke i dhënë
të drejtë Dondollakut që të mos dënohet
me burgim të përjetshëm, megjithëse
ndaj tij rëndojnë katër vrasje të ndodhura
në qytetin e Lushnjës. Por një tjetër
problem në këtë proces mund të jenë
dëshmitarët, që janë të njëjtë për të trija
proceset që po zhvillohen njëkohësisht
në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Shumë
prej dëshmitarëve kanë hedhur akuza
ndaj trupit gjykues, i cili shtyn gjyqet pa
të drejtë. Zëvendësdrejtuesi i bandës së
Lushnjës, Enver Dondollaku, disa javë
më parë nuk pranoi të vijë në Shqipëri,
pasi pretendonte se në vendlindje i rrezikohet
jeta. Në një letër që dërgoi në
Prokurorinë e Përgjithshme, nëpërmjet
Ministrisë së Drejtësisë, pohonte se ai do
të mbrohej në procesin gjyqësor në
Gjykatën e Krimeve të Rënda nga avokati
Vladimir Meçe. Dondollaku i jepte të
drejtë avokatit ta përfaqësonte, madje të
paraqiste edhe prova në seancën gjyqësore,
por nuk harronte që përfaqësuesi
ligjor kishte të drejtë të kërkonte edhe
gjykim të shkurtuar, pavarësisht se nuk i
pranonte akuzat e prokurorisë, që e akuzonin
për disa vrasje në qytetin e Lushnjës,
së bashku me eprorin e tij, Aldo Bare.
Klauzola në letrën e Dondollakut është
shfrytëzuar nga avokati Vladimir Meçe, i
cili ka kryer kërkesën dhe është pranuar
dy ditë më parë nga gjykata.
Aldo Bare dhe Enver Dondollaku akuzohen
për krijim të organizatës kriminale
dhe për dhjetëra vrasje që kanë terrorizuar
banorët e qytetit për vite me radhë.
Prokuroria, përveç vrasjeve të dokumentuara,
dyshon se Dondollaku ka marrë
pjesë edhe në trafikun e drogës, proces i
cili ka mbetur në vendnumëro, pasi
gjykata italiane e ka dënuar me 18 vjet
burg numrin dy të bandës së Lushnjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›