Mediu premton zgjidhjen e çështjes së pronave
Turi elektoral i kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, ka vijuar në qytetin e Përmetit. Gjatë fjalës së tij, Mediu tha se sukseset e katër viteve të qeverisë, pjesë e së cilës është edhe PR-ja, i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një tjetër imazh, autoritetin e duhur për të gjykuar dhe marrë vendime me rëndësi. Ai u ndal tek anëtarësimi i vendit në NATO, duke thënë "për herë të parë në historinë tonë që pas shpalljes së pavarësisë shqiptarët të fitojnë një autoritet që nuk e kanë pasur kurrë më parë, autoritetin për të gjykuar dhe vepruar për veten e tyre, për të gjithë shqiptarët dhe për të ardhmen tonë". Sipas tij, anëtarësimi është një moment historik i cili përcakton përgjegjësi për të gjithë ne. Më tej Mediu theksoi se gjatë mandatit të dytë PR-ja do të kërkojë me insistim për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës.