"Poli i Lirisë" hap fushatën elektorale
Grupimi "Poli i Lirisë" hapi dje zyrtarisht fushatën elektorale. Një ndër eksponentët kryesorë të mitingut ishte ish-kryeministri Aleksandër Meksi, i cili kryeson listën e kandidatëve në Qarkun e Tiranës. Meksi vuri theksin te bashkimi i të gjithëve për të çuar para ëndrrën e ndërtimit të demokracisë të nisur 19 vjet më parë. Ai bërë publike disa nga pikat kryesore të programit elektoral të "Polit të Lirisë", ku në thelb është përmirësimi i ekonomisë, reformimi i arsimit dhe shëndetësisë. Në ceremoni e mori fjalën edhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili theksoi se "ne jemi mbledhur të gjithë së bashku për t‘i dhënë shansin gjithë shqiptarëve të ndahemi nga dypolariteti, për të krijuar një shtet të lirë dhe një demokraci që ecën përpara". Duket të shkëputemi nga ky rreth vicioz, u shpreh ai, tek i cili jemi mbyllur prej 18 vjetësh. "Poli i Lirisë" është ndryshimi, jo se do të bëjmë mrekulli, theksoi Shehi, por jemi për të shërbyer si një motor i madh, i cili do tërheqë në rrugën e drejtë interesat e gjithë shqiptarëve. Çështja e pronës është në thelbin e ekonomisë së tregut, u shpreh Shehi, ndaj e kemi konsideruar aleat të rëndësishëm shtresën e ish-pronarëve. Duke u ndalur tek ekonomia, Shehi nënvizoi se "Poli i Lirisë" do të ndërtojë gjithë sistemin arsimor, duke e reformuar atë. Shëndetësia, premtoi ai, do të jetë një tjetër prioritet i kësaj lëvizjeje, ku do të vendosen sigurimet shëndetësore. Më 28 qershor, vijoi Shehi, hapim një faqe të re, përndryshe do të mbyllet fare libri i demokracisë. Më pas, ai ftoi të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në zgjedhje më 28 qershor, për t‘u dhënë shans vetes dhe fëmijëve, për një të ardhme më të mirë. Pas kreut të kësaj partie, të pranishmëve iu drejtua kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Ai vlerësoi krijimin e grupimit "Poli i Lirisë", duke theksuar se me të, i jepet fund politikës së dy partive të vetme, PD dhe PS. "Ne, tha Ndoka, jemi shumë dhe më 28 qershor do të përcaktojmë mazhorancën e qeverisjes së vendit. "Ne jemi garancia se kurrë më Shqipëri nuk do të jetë nën thundrën e një njeriu të vetëm, i cili mbron vetëm interesat e familjes së vet. Ne jemi garancia që Parlamenti i ardhshëm do të zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës, çështjen e ish të përndjekurve dhe reformën në sistemin e arsimit dhe shëndetësisë". Ndoka tha se "Poli i Lirisë" është lëvizja më reale e krijuar nga ata që kanë kontribuar për demokracinë gjatë këtyre 19 vjetëve. Ne, vijoi Ndoka, jemi ndryshe nga e majta, sepse nuk kemi asgjë të përbashkët me ata që krijuan diktaturën. "S‘kemi asgjë të përbashkët me të djathtën sepse nuk denigrojmë dhe nuk largojmë forca politike që mendojnë ndryshe", theksoi Ndoka. Më pas fjalën e mori kandidati i Durrësit që vjen nga Shoqata e Pronarëve, Agim Toro. Ai deklaroi se ish-pronarët janë bërë pjesë e "Polit të Lirisë", sepse kanë në thelb të programit të tyre zgjidhjen e çështjes së pronës. Toro theksoi se e djathta dhe aleatët e saj kanë katër vjet që mashtrojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ndërsa kanë 18 vjet që prona zvarritet nga njëra qeveri në tjetrën pa i dhënë një zgjidhje konkrete. Përfaqësuesi i ish-pronarëve ftoi shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mbështesin "Polin e Lirisë" për të çuar në Parlament njerëz të cilët do të përcjellin zërin e tyre.