Milo: Ne mbajmë premtimet e dhëna
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, zhvilloi dje takime në Komunën Kotë të lumit të Vlorës, ku kryeson edhe listën e këtij qarku. Në bashkëbisedim me banorët e kësaj komune, Milo deklaroi se kjo është një nga krahinat ku shtrihen thellë rrënjët e së majtës shqiptare. "Është një nga krahinat që na jep një mbështetje të fuqishme në punën tonë për transformimin e Shqipërisë", tha ai. Milo i premtoi popullit të Lumit të Vlorës se me ardhjen në pushtet pas 28 qershorit të koalicionit Bashkimi për Ndryshim dhe të Demokracisë Sociale, Lumin e Vlorës do ta kemi në konsideratë të veçantë, sepse Demokracia Sociale asnjëherë nuk e ka ndarë fjalën nga veprat. Më pas Milo u angazhua se do të ketë subvencione nga shteti, në mënyrë që të ndryshojë struktura e tyre bujqësore. Kryetari i PDS-së kërkoi që ta votojnë Demokracinë Sociale si pjesë të së majtës solide, progresive evropiane në Shqipëri.