Rite pagane, mblidhen në Antigone 15 grupe
GJIROKASTER - Takimi i tretë i riteve pagane dhe lojërave popullore "Antigonea 2009" ka mbledhur dje 15 grupe nga i gjithë jugu i vendit. Veprimtaria cilësohet si një nga më masivet të fokusuara në fushën e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore që ka nisur të organizohet në mënyrë periodike nga ana e Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër. Ky takim që synon të zgjerohet nga viti në vit mbulon fushën e evidentimit të vlerave të trashëgimisë së lashtë shpirtërore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka për qëllim nxitjen e zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm kulturor në këtë zonë dhe komunitetin e fshatrave përreth. Organizatorët dhe komuniteti i banorëve të zonës e shfrytëzojnë veprimtarinë jo vetëm për zhvillimin e turizmit kulturor në këtë zone, por edhe për të ruajtur rite dhe tradita të lashta që po zhduken. p.n