E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gallucci i mëson serbët si ta kundërshtojnë Prishtinën

Nga Express më 23 qershor 2011 në ora 12:43

Gerard Gallucci, ish-administrator për rajonin e Mitrovicës, këto ditë është duke qëndruar në veri të Mitrovicës. Burime të Kosovapress-it nga veriu kanë bërë të ditur se Gallucci ka pasur takime të ngjeshura me strukturat paralele serbe, që njihen si më radikalet, siç është përfaqësuesi i KNS-së Millan Ivanoviq, dhe ai i Partisë Demokratike të Serbisë së Vojislav Koshtunicës, Marko Jakshiq.

“Ish administratori rajonal për Mitrovicë në këto takime ka udhëzuar ekstremistët serbë se në çfarë mënyre duhet të kundërshtojnë udhëheqësin dhe institucionet e Prishtinës”, kanë thënë burimet.

Bëhet e ditur se ka tri ditë që Gallucci është duke qëndruar në veri të Mitrovicës dhe është i vendosur në Motelin ‘N 1’.

Ndryshe, ky ish administrator me prejardhje amerikane, njihet për qëndrimet e tij pro serbe. Ai vite më parë ka pasuar një konflikt me ish zv/kryeadministratorin e Kosovës dhe diplomatin e lartë amerikan, Lari Rosin.

Gallucci në atë kohë pati akuzuar Rosinin për një letër dërguar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, se UNMIK-u ka përdorur dhunë ndaj strukturave serbe, të cilat atë kohë patën marrë me dhunë objektet e gjykatave në veri të Mitrovicës.

Gallucci, pas largimit nga posti i administratorit të rajonit të Mitrovicës, është caktuar në postin e shefit të OKB-së për Timorin Lindor, dhe nga atje në disa prononcime të tija për mediat serbe pati akuzuar udhëheqësin e Kosovës dhe ato ndërkombëtare se nuk kanë çka të kërkojnë në veri të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›