Donika Mustafaj: S’jam tradhtuar asnjeherenga Besniku
ARLINDA CANAJ
Janë të dy të dashuruar, të lidhur me njëri tjetrin dhe në festën e argjendë të martesës së tyre kanë menduar t’i bëjnë surpriza të mrekullueshme njëri-tjetrit. Surpriza që nuk kanë vlera materiale por vetëm ndijore dhe emocionale. Donika ka kënduar për partnerin e saj këngën “Every think i do” ndërkohë që shkrimtari dhe politikani i njohur Besnik Mustafaj recitoi një poezi për nder të bashkëshortes së tij. Kanë gëzuar mbrëmjen e së premtes të dy bashkë, nën praninë e dy djemve dhe vajzës që e kanë në proçes birësimi Dëborës, në 50 vjetorin e lindjes së keryetarit të familjes dhe 25 vjetorit të martesës së tyre nën praninë e 300 të ftuarve nga sfera të ndryshme të jetës. Në pragun e kandidimit të zotit Besnik për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës ai së bashku me të shoqen ka zgjedhur të kremtojë dy përvjetorët e rëndësishëm në një festë mondane…
Bashkëshorti juaj feston 50 vjetorin ndërkohë që pak ditë më parë keni pasur 25 vjetorin e martesës. 2 përvjetore që u kurorëzuan me një festë mondane. E kujt ishte ideja e kësaj ceremonie?
-Ideja e festës ishte e të dyve. Faktikisht 2 javë më parë ishte 25 vjetori i martesës dhe dje ditëlindja e Besnikut. Ishin të dyja përvjetore dhe duke diskutuar menduam të organizonim një festë të madhe për të gjithë miqtë tanë.
E organizuat në lokalin “Xibraku”. Çfarë të veçante kishte festa?
-Erdhën shumë miq të mitë dhe të Besnikut, nga të gjitha fushat. Menduam tek “Xibraku” sepse kemi qenë disa herë në restorant dhe salla i përshtatej shijeve tona. Surpriza që unë i bëra ishte një këngë e Bryan Adams “Every thing i do”, një këngë e gjitha për të, ku nëpërmjet tekstit dhe muzikës i përcolla përkushtimin tim. Im shoq recitoi një poezi që i kushtohet Donikës së Skënderbeut, por atë poezi ai e ka krijuar në kohën kur ishte njohur me mua, dhe përmban shumë elemente karakteristike të dashurisë sonë. Nuk e kishim prezantuar kurrë vajzën e vogël që kemi marrë nën kujdestari, Deboran. Dhe ajo ishte bashkë me familjen tonë. Në program u interpretuan 4 pjesë, një nga këngëtarja Eva Golemi, një pjesë orkestrale nga Fatos Qerimi, një kuartet harqesh dhe një pjesë baleti e realizuar nga Arjan Sulkniqi. Këndoi një këngë Fatmira Breçani dhe një këngë Artiola Toska. Pjesa tjetër ishte me d-jey dhe muzikë e përzgjedhur Gold.
Sa të ftuar u thirrën për të marrë pjesë?
-Janë thirrur rreth 300 vetë dhe ceremonia nisi në orën 19 e 30-të, deri në orët e vona.
Bëtë ndonjë dhuratë tjetër të veçantë për Besnikun?
-Dhuratë materiale, jo. Besniku dhuron gjithnjë vetëm lule, por këtë rradhë mendoj se fjalët e asaj kënge kanë qenë një mesazh që përmbante gjithçka që mendoj unë për të. Kemi arritur në një moshë kur dhuratat materiale nuk kanë më asnjë rëndësi për ne.
Si u veshët?
-Me një kostum të thjeshtë, që nuk është qepur këtu në Shqipëri.
Jeni martuar prej 25 vjetësh ndërkohë që njiheni prej 28 vjetësh. Duke bërë një bilanc të gjithë këtij rrugëtimi të përbashkët mund t’i cilësoni si vite me të vërtet të lumtura?
-Sigurisht, që po. Përderisa arritëm të festonim dhe këtë përvjetor me harmoni dhe me një festë të tillë. Por dua të them se jeta jonë nuk ka qenë gjithnjë lineare. Ka pasur ulje-ngritjet e veta, sipas kohës, momenteve, por unë them se jam një grua me fat, dhe e konsideroj veten një grua të lumtur. Mendoj se kam mundur ta bëj Besnikun një burrë të lumtur.
Përmendët më sipër se martesa ka luhatjet e veta. Kush kanë qenë momentet më të vështira për ju?
-Nisja e jetës. Përshtatja me njëri tjetrin. Gjatë njohjes Besniku i ka egzagjeruar veset e veta, për të më testuar mua. Por kanë qenë të vështira dhe kushtet me të cilat filluam jetën. Mungesa e një banese, vështirësitë e një jete familjare ku gruaja kishte detyrime të mëdha pa pasur kushte dhe komoditete, të bërit nënë shumë shpejt e shndërruan jetën time, jo pak. Unë isha e papërgatitur. Përpos kësaj vija nga një familje tradicionale, ku gruaja sakrifikonte dhe vinte primare rolin si bashkëshorte dhe nënë dhe harronte karrierën apo dëshirat e saja personale. Unë në jetën time nuk kam shtruar pyetje dhe aludime por kam jetuar gjërat më të rëndësishme dhe kam marrë vendime të rëndësishme. Primare kisha Besnikun dhe fëmijët.
Ndërkohë pretendimet për veten i latë për më pas?
-Unë isha martuar me një shkrimtar. Besniku mori përsipër të bënte shumë gjëra në atë kohë dhe unë e dija që ai nuk e kishte të lehtë, por as unë. Nëse të dy do synonim karrierën familja do ishte lënë pas dore. Këtë detyrë e mora përsipër unë.
Ky vendim ishte diçka të cilën e bëtë me dëshirë, apo ishte imponim i Besnikut?
-Jo. Ishte zgjidhja ime. Dhe unë kisha mbaruar shkollën dhe mund të bëja karrierë. Por ishte e pamundur. I lashë rrugë të lirë Besnikut t’i përkushtohej letërsisë dhe unë atij dhe familjes. Por ai nuk ka qenë kurrë i mënjanuar nga ne. Përkushtimin fizike unë e kam pasur më të madh se ai, por koha shpirtërore mendoj se ka qenë e barabartë. Ai ka ndikuar shumë në familjen tonë dhe ishte ai që na udhëhiqte.
Mendoni se sakrifica e gruas është gjëja më e rëndësishme për të pasur jetëgjatësi në çift?
-Unë mendoj se jo vetëm gruaja duhet të sakrifikojë. Pamvarësisht se gratë flasin për sakrificën e tyre nuk është e lehtë dhe ajo e burrave . Mendoj se të dy sakrifikojnë në mënyrën e tyre. Ne e kemi bërë të dy. Sepse dhe produkti që ka nxjerrë Besniku, puna që ka bërë ai, emri, karriera është produkt i gjithë familjes
Je gruaja e një shkrimtari dhe politikani të njohur. Shpeshherë rrethet ku ai bën pjesë janë të dominuara nga femra të bukura dhe inteligjente. Keni qenë xheloze për mikeshat e tij?
-Nuk jam fare xheloze. Kam shumë besim tek dashuria e tij. Ajo që ja di për faleminderit, është se Besniku më ka mbrojtur gjatë gjithë jetës. Ka shumë gra që kanë qenë të detyruara të mbrohen vetë, të krijojnë një korracë për martesën dhe qetësinë e tye familjare. Mua Besniku këtë ma ka krijuar në mënyrë të vetvetishme. Shumë gjëra që kanë ndodhur në jetën e tij ai i ka mbajtur për vete pa mi transmetuar mua, duke ditur që jam tip shumë i ndjeshëm. Shpesh ngacmimet e jashtme të destabilizojnë dhe krijojnë tensione që ti në njëfarë mënyre do t’i shprehësh diku. Unë kam qenë e qetë.
Nuk je bërë kurrë xheloze për të?
-Ai ka shumë shoqe. Flet me to në telefon. Mund t’i thotë dhe ndonjë fjalë përkëdhelëse, por unë nuk e kam problem. Unë e njoh dashurinë e tij. Jam me fat sepse e di që gjithnjë kam qenë një grua e dashuruar prej tij dhe asnjëherë nuk jam tradhëtuar prej tij. Që nga momenti që jemi martuar besoj se kam qenë për të jo vetëm gruaja por dhe femra e jetës së tij.
Në këto 25 vjet të përbashkëta ka një recetë të fshehtë jeta juaj. Si keni mbetur interesant për njëri-tjetrin?
-Dashuria dhe respekti, mendoj. Pa dashuri nuk mbahet asgjë. Nëse ajo është e thellë dhe e vërtetë të gjitha gjërat e tjera i nënshtrohen asaj. Dashuria zbeh mërzitjet, mungesat, pengesat.
Duket sikur mes jush gjithçka është perfekte. Ka pasur ndonjë moment krize në martesën tuaj?
-Ka pasur diskutime dhe debate, por kurrë kriza. Në ato momente ndoshta është ngritur paksa më shumë toni. Debate në lidhje me fëmijët sepse Besniku është liberal ndërkohë që unë jam më konservatore. Në ato këndvështrimet e ndryshme nxehen gjakrat dhe zëri ngrihet pak më shumë se ç’duhet. Por zënka banale, kurrë. Nuk ia kemi lejuar vetes.
Pjesë e suksesit tuaj janë dhe fëmijët. Dy djem që tashmë kanë marrë rugën e avokatisë. Ka qenë e vështirë rritja dhe edukimi i tyre?
-Shumë i vështirë. Kanë qenë fillimisht problemet e para ekonomike. Më kujtohet që kam lindur në vitin 1984 dhe ushqeja fëmijën me çaj dhe me biskota 10 lekëshe sepse qumështi ishte infektuar nga shpërthimi i Çernobilit. Plus fakti që dy fëmijët kanë pasur temperamente shpërthyese dhe në çdo moment kanë patur kërkesa dhe pyetje. Një pjesë të jetës së tyre e kaluan në Francë dhe kur erdhën në Shqipëri patën shumë probleme përshtatjeje. Më kujtohet që djali i vogël kur ka shkuar në shkollë u lemeris sepse pa klasën më nxënës që bërtisnin dhe më lutej ta çoja në shtëpi sepse ato i dukeshin si të çmendur dhe më pas i shkruante shokut të vet në Paris se kishte hajdut në klasë, sepse i kishin vjedhur gomën, mësuejsa e ofendonte, dhe para shkollës kishte një pellg me ujë si pishinë. Kanë qenë momente ku unë vuaja më shumë se fëmijët e mi. Por më pas u përshtatën.
Një fazë e rëndësishme e jetës tuaj ka qenë jeta në Paris. Sa ndikoi ajo tek ju?
-Për mua ka qenë një shkollë e dytë. Kam parë shumë gjëra që nuk kisha patur mundësi t’i shihja më parë. Kam takuar shumë personalitete të artit dhe të kulturës politikës. Kam takuar shumë gra ambasadorësh nga të cilët kam mësuar shumë. Rrinim bashkë, flisnim, gatuanim, shkembënim eksperienca. Falë Besnikut që ishte politikan dhe shkrimtar Parisi na i hapi të gjitha portat. Kemi shkuar në teatro, në koncerte, ekspozita, opera në shumë evenimente që dhe francezët nuk i kishin parë ndonjëherë.
Ndoshta Parisi e vulosi lidhjen tuaj të dashurisë?
-Sigurisht. Ka qenë një periudhë e artë e jetës sonë bashkëshortore ku kemi shijuar dhe prekur shumë evenimente dhe ngjarje që si kishim ëndërruar kurrë më parë.
Kishte familjarë në festën tuaj?
-Për familjarët do të organizojmë një darkë të veçantë në shtëpinë e Priskës. Do të jetë një festë tjetër.
Një nga surprizat e mëdha të ceremonisë ishte dhe prezantimi i Dëborës. Në intervistën e mëparshme jeni shprehur se akoma nuk e kishit ndjerë në vetvete të qenin nënë. Ka ndryshuar diçka ndërkohë?
-Që atëherë kontakti me Dëborën ka qenë më i shpeshtë. E kam marrë dhe në shtëpi, e kam larë, e kam ushqyer, e kam shëtitur. Dhe çdo ditë ajo afrohet me ne dhe unë, gjithashtu me të. Por akoma deri në atë pikë sa unë t’i them : “Hajde tek mami!”Ajo është shumë e dashur, loz me mua, ha shumë mirë. Është një fëmijë i mrekullueshëm që nuk di të zemërohet dhe të qajë. Dhe kur i lan fytyrën me sapun nuk ankohet. Them se duhet akoma kohë. Ajo po na tërheq pak nga pak.
Prezantimi i saj para të ftuarve të festës ka një domethënie të veçantë?
-Dëbora tashmë është pjesë e familjes. Ne do prezantohemi të gjithë dhe mendoj se dhe ajo e meriton këtë gjë. Ne kemi bërë proçesin e parë gjyqësor dhe po bëjmë procedurat pak nga pak për ta marrë në shtëpi.
Jeta e tyre pariziane
Sharmin dhe elegancën sigurisht që ia ka injektuar Parisi me sallonet e modës, mbrëmjet plot poezi, kulturë dhe mondanitet. Është vendosur në Paris në vitin 1994, atëherë kur Shqipëria ndryshonte me hapa të shpejtë, por akoma ishte vite larg atij qytetit të vrullshëm ku prej shekujsh zhvillohej kultura mbarëbotërore. Falë talentit të Besnikut si shkrimtar iu hapën të gjitha dyert dhe ajo mban mend se kanë udhëtuar gati në të gjitha qytetet e Francës. Një jetë që ndikoi tek ajo në mënyrë të papërsëritshme. Fillimisht iu desh të mësonte diplomacinë, të fliste kur duhej dhe në masën e duhur, të vishej sipas tendencave të modës, të sillej si një zonjë e vërtetë pariziane. Por nuk iu desh shumë kohë. Me natyrën e saj të zgjuar arriti të kapte më të mirën dhe ta shfaqte dukshëm në gjithë performancën e saj. Por koha e lirë nuk mbushej vetëm me mbrëmje, muzikë apo teatro. Ajo që adhuronte ishte angazhimi me Qendrën e Fëmijëve Handikapë, ku ajo bashkë me zonjat e tjera të ambasadorëve jepte kontributin e saj ndaj fëmijëve me probleme. Shpesh pasditeve rekej në spital dhe fliste me to, përpiqej t’i jepte zemër dhe të ndihmonte me aq sa mundej…..
Hyrja e re në familjen Mustafaj
Ka qëndruar gjatë gjithë mbrëmjes nën krahët e Donikës. Vajza 1 vjeç e gjysëm e pagëzuar në 20 Maj 2007 në Ditën e Jetimëve Shqiptarë nga Besnik Mustafaj me emrin Dëbora, tashmë konsiderohet pjesë e familjes Mustafaj. Familje që përveç çiftit përbëhet nga dy djemtë Dardani 24 vjeç, avokat, dhe Andit 20 vjeç që studion për jurisprudencë në Paris. Dëbora vazhdon të jetojë në rezidencën e fëmijëve “Sos” dhe familja Mustafaj tani për tani ka kryer vetëm procedurën e parë ligjore, ndërkohë që procedurat për birësim janë akoma shumë të gjata. Donika tregon se e viziton shpesh sa herë i krijohet një mundësi, duke qenë se e ka dhe afër punës. Ndërkohë që janë bërë të zakonshme marrjet e vajzës në shtëpi për uikende dhe pushime. “Dëbora është fëmijë shumë i urtë dhe i pëlqen shumë të marrë libra, t’i vendosë në divan dhe t’i shfletojë. Mbase bëhet kjo shkrimtare, duke qenë se dy djemtë morën rrugën e avokatisë” shprehet ajo. E ndërsa është akoma skeptike për rilindjen e ndjenjës së nënës tek ajo, Besniku paksa xheloz për simpatinë e vogëlushes ndaj Donikës, tregon haptazi dhe me krenari vajzën e tij duke thënë “se ajo ka sjellë vetëm bardhësi dhe lumturi në familjen e tyre”.