E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skafisti i “9 janarit”, në bandën e trafikut të drogës

 

Policia italiane bllokoi dje 12 kile drogë dhe arrestoi 15 persona, nga 60 urdhërarreste të lëshuara prej Prokurorisë. Mes të arrestuarve të policisë së Firences në Itali gjatë operacionit “Moro 2007”, mediat kanë raportuar edhe atë të Nazmi Hykës nga Golemi, një prej personave të akuzuar dhe të dënuar për tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004. Lajmi është publikuar nga mediat italiane, të cilat shkruanin dje se arrestimi i 45-vjeçarit Nazmi Hyka nga Golemi i Kavajës është bërë me akuzën e trafikut të drogës. Ai është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Vlorës, i akuzuar si një prej organizatorëve të trafikimit të klandestinëve nga brigjet e Vlorës në drejtim të Italisë në 9 janar 2004. Ende nuk është i qartë pozicioni i Nazmi Hykës në këtë grup të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe shpërndarjes së drogës në Firence. Kjo pasi në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar ai është arrestuar nga autoritetet italiane të policisë, në bazë të një urdhri ndërkombëtar arresti të nxjerrë ndaj tij nga drejtësia shqiptare. Mediat italiane që i referohen policisë së vendit fqinj, kanë pohuar arrestimin e Nazmi Hykës, si një prej personave të përfshirë në këtë rrjet, një prej 10 më të kërkuarve në Shqipëri. Duke qenë se Hyka ka qenë i arrestuar më tepër se 9 muaj më parë, ende nuk është bërë e ditur nëse ai është përballur me akuzën e re në ambientet e burgut apo ishte liruar me parë në rrethana të paqarta dhe ka rënë sërish në pranga. Kjo, pasi vepra penale për të cilën ai ishte dënuar në Shqipëri, nuk krijonte mundësi që ai të qëndronte në arrest shtëpie apo procesi i ekstradimit ndaj tij të zhvillohej duke qenë i lirë. Operacioni në të cilin pohohet të jetë arrestuar Hyka, është zhvilluar nga karabinierët Borgo së Shën Lorenzit drejtpërsëdrejti nga Firence e drejtuar nga prokurori Etore Skuilaçe Greko. Droga e importuar nga Spanja shpërndahej kryesisht në tregjet e qyteteve toskane, por edhe në Firence, Prato, Pistoia, Piza, Luka dhe Areco. Ndërkaq burime nga Policia e Shtetit shtojnë se Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë dërguar në drejtim të autoriteteve italiane kërkesën për ekstradimin e Hykës për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Ai është cilësuar nga policia dhe drejtësia shqiptare si një nga organizatorët e trafikut të klandestinëve në janar 2004, një udhëtim që përfundoi në një tragjedi me 21 të vdekur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›