Me hepatit 7% e grave shtatzëna
Hepatiti B kërcënon jo vetëm gratë shtatzëna, por edhe fëmijët që ato presin të sjellin në jetë. Në vendin tonë rreth 7% e nënave të ardhshme janë të prekura nga sëmundja e rrezikshme, duke u bërë kështu shkaktare të transmetimit të saj te të vegjlit në rreth 90% të rasteve. Të dhënat bëhen publike nga Instituti i Shëndetit Publik. Studimi më i fundit i realizuar nga specialistët e këtij instituti ka pasur si qëllim raportimin e shpeshtësisë së sëmundjes tek kjo kategori e popullatës, si dhe ndërtimin e një strategjie për të mbrojtur fëmijët e porsalindur nga hepatitet. Në studim janë përfshirë 500 gra shtatëzëna të përzgjedhura nga 4 rrethe të vendit. Përzgjedhja e tyre në maternitetet e Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Durrësit është bërë në mënyrë të rastësishme. Grupmosha nga 21-25 vjeç, sipas të dhënave, ka numrin më të lartë të të infektuarave. Kështu nga kjo grupmoshë, 11.2 % e grave shtatzëna rezultojnë të prekura nga hepatiti B. Sipas specialistëve, ky fakt tregon se pikërisht tek kjo grupmoshë mungojnë masat parandaluese për faktorët në risk të sëmundjes. Shkak për këtë është edhe mungesa e informacionit të duhur për mënyrat se si transmetohet sëmundja nga një individ tek tjetri. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat për kontigjentin e grave me arsim tetëvjeçar. Ato përbëjnë numrin më të madh të të prekurve. Nga nënat e ardhshme që janë përfshirë në studim kjo kategori zë rreth 9.1% të të infektuarve. Hepatiti B shkaktohet nga virusi përkatës i kësaj sëmundjeje. Periudha e inkubacionit të virusit është 2 deri në 6 muaj. Sipas mjekëve, rrugët më të shpeshta të transmetimit janë marrëdhëniet seksuale me shumë partnerë, transfuzionet e gjakut, dentistët që përdorin mjete të pasterilizuara. Bartës kronikë të virusit në përqindjen më të lartë janë të sëmurët me mangësi imune dhe fëmijët. Rreth 90% e bebeve të lindura nga nënat me hepatit B bëhen bartës kronikë. Këta bartës kronikë kanë rrezik të shtuar për cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Trajtimi i të sëmurëve me hepatit bëhet me medikamente antivirale. Tek gratë shtatzëna ky trajtim bëhet edhe më i vështirë, për shkak të pasojave që mund të lërë kura te fëmijët. Ndërsa të sëmurët e tjerë nëse nuk i marrin rregullisht medikamentet e nevojshme, mund të humbasin edhe jetën. Pacientët që vuajnë nga hepatiti kronik nuk duhet të konsumojnë alkool dhe nuk duhet të bëjnë punë të rënda. Një tjetër problem mbetet edhe trajtimi i kësaj sëmundjeje, kjo pasi kura është shumë e shtrenjtë. Për trajtimin e hepatitit B për një vit medikamentet kushtojnë rreth 10 mijë euro, ndërsa për hepatitin C ajo kap vlerën e 2 mijë eurove në muaj.