Shtajnmajer zhvilloi bisedime me presidentin e Pakistanit
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Vater Shtajnmajer, i ka shprehur Pakistanit mbështetjen e vendit të tij për kapërcimin e krizës financiare dhe të gjendjes së sigurisë. Gjermania ka interes që gjendja në Pakistan të stabilizohet, tha Shtajnmajer para takimit në Islamabad me presidentin e vendit Asif Ali Zardari. Nisur nga numri i popullsisë, vendi i dytë më i madh islamik në botë, për shkak të mungesës së rezervave valutore, ndodhet para bojkotit, në rast se nuk merr ndihma financiare nga jashtë. Shtajnmajer zhvilloi bisedime në Islamabad me presidentin Zardari, i cili është në këtë post prej gjashtë javësh. Një tjetër temë e bisedimeve ishte gjendja e paqëndrueshme e sigurisë në Pakistan. Pas bisedimeve në Islamabad, shefi i diplomacisë gjermane u nis për në Arabinë Saudite.
Horst Zehofer zgjidhet kryeministër i Bavarisë
Kryetari i Partisë Kristiansociale, CSU, Horst Zehofer, 59-vjeçar, është zgjedhur kryeministër i Bavarisë. Parlamenti i landit e zgjodhi ministrin e deritanishëm kombëtar të Bujqësisë si pasardhës të Gynter Bekshtajnit, që dha dorëheqjen. Në votimin e fshehtë, Zehofer mori 104 nga 184 votat e dorëzuara. Koalicioni CSU/FDP zotëron në Parlamentin bavarez 108 nga 187 vendet. Kabineti i ndërtuar nga këto dy parti, përbërjen e të cilit do ta bëjë të ditur Zehoferi ditën e enjte, është qeveria e parë e koalicionit në Bavari prej 46 vjetësh.
Në Japoni ekzekutohen 2 persona me varje
Dy të dënuar me vdekje janë varur gjatë ditës së djeshme në Japoni. Numri i dënimeve me vdekje në këtë shtet shkoi në 15 veta dhe ky konsiderohet numri më i lartë i dënimeve me vdekje që nga publikimi i numrit të dënimeve me vdekje në vitin 1999. Shumë organizata për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje që të hiqet ky ligj në Japoni. Organizata për të drejtat e njeriut “Hjumën Rajts Uotç”, ka apeluar te presidenti i Indonezisë, Susilo Bambang Judhojono, që të mos zbatohet në fillim të nëntorit dënimi me vdekje ndaj tre të akuzuarve, si përgjegjës kryesorë në sulmin me bombë në ishullin Bali.
Ban Ki Mun: “Zimbabveja duhet të nxirret nga kriza”
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, e ka quajtur si të rrezikshme krizën që ka përfshirë Zimbabvenë. Në një deklaratë publike në Nju Jork, Ban Ki Munu shpreh i tronditur për nevojat emergjente të njerëzve në vendin afrikanojugor. Kjo situatë mund të ashpërsohet më shumë vitin e ardhshëm në qoftë se nuk merr fund kjo gjendje politike. Të hënën dështoi përpjekja e re për ndërmjetësim e vendeve të Bashkësisë së shteteve afrikanojugore, SADC, në kryeqytetin e Zimbabvesë, Harare. Presidenti Robert Mugabe dhe kryeministri i emëruar, njëkohësisht shefi i opozitës, Morgan Tsvangirai, nuk ranë dakord për postin e ministrit të brendshëm, meqë të dyja partitë pretendojnë ta kenë këtë post.
Siria: Do të reagojmë nëse na sulmojnë SHBA-të
Qeveria siriane ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet në rast se Shtetet e Bashkuara të Amerikës sulmojnë sërish përgjatë kufirit të tyre me Irakun. Incidenti ndodhi të dielën dhe Damasku zyrtar pretendon se gjatë bombardimit nga 4 helikopterë amerikanë u vranë banorë të pafajshëm. Por zyrtarë amerikanë në kushte anonimati bëjnë të ditur se gjatë këtij aksioni u vra një person i përfshirë në trafikun e luftëtarëve të huaj që dërgohen në Irak nga ekstremistët islamikë. Agjencitë e lajmeve kanë bërë të ditur se për amerikanët, vrasja e irakianit Abu Gadija ishte një sukses. Ndërsa për sirianët ky ishte një akt i pastër terrorist dhe agresion ndaj sovranitetit të shtetit të tyre. Sipas Damaskut, gjatë incidentit u vranë të paktën 8 persona të paarmatosur gati 8 km në brendësi të territorit sirian.
29 Tetor 2008