Surroi-Eshdaun-Ishinger mbrojnë pavarësinë e Kosovës në Londër
Kryetari i bordit të Klubit për Politikë të Jashtme të Kosovës, Veton Surroi, ka marrë pjesë në debatin që u zhvillua në Londër për pavarësinë e Kosovës. Ky debat u organizua nga “Royal Geographic Society” dhe Surroi së bashku me Lordin Padi Eshdaun dhe ish-ndërmjetësin ndërkombëtar në bisedimet për status, Volfgang Ishinger, iu kundërvunë mocionit “Kemi gabuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës”. Ata kundërshtuan argumentet e treshes së përbërë nga Misha Gleni (Autor i “The Fall of Yougoslavia”), Sër Ivor Roberts (ish-ambasador britanik në Jugosllavi) dhe Dragan Zupanjevac (i ngarkuari me punë në ambasadën serbe në Londër).
Në debat u trajtuan ndikimet që ka sjellë vendimi për pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe raportet e reja mes Perëndimit dhe Rusisë.
Maqedoni, 60 policë në hetim për abuzime
Numri i policëve që janë në hetim në Kumanovë të Maqedonisë ka shkuar në 60. Ata dyshohet se mund të jenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se edhe 20 policë të tjerë në Kumanovë janë lëvizur nga postet që kanë pasur. Kjo lëvizje vjen pas veprimeve të ngjashme që u ndërmorën me rreth 40 policë të tjerë ku përfshiheshin kryeshefa, shefa dikasteresh si dhe policë të njësiteve speciale. Ministrja e Punëve të Brendshme, Jordana Jankullovska, është shprehur se në historinë e policisë maqedonase asnjëherë nuk ka pasur lëvizje të tilla. Këto veprime ndërmerren pas arrestimeve të më shumë se 20 personave javën që shkoi në qytetin e Kumanovës të akuzuar për kontrabandë cigaresh. Gjatë aksionit policia gjeti 15 tonë cigare.
Hagë, Karaxhiç: “Procesi i gjykimit po ecën shumë shpejt”
Ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, doli dje para Gjykatës së Hagës në një seancë të shkurtër. Ai tha se nuk ishte përgatitur për seancën që u zhvillua. Ndërkohë seanca tjetër është vendosur të mbahet më 20 janar. Karaxhiç do të mbrohet vetë ndaj akuzave për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit për ngjarjet në luftën e Bosnjës 1992-1995. Ai u shpreh në seancë se edhe pse nuk ka nevojë për avokat mbrojtës, ende nuk ka mbledhur një ekip ligjor që ta zëvendësojë. “Nuk kam patur burimet e mjaftueshme, nuk kam ekip për mbrojtjen”. Gjykatësi i Hagës e akuzoi Karaxhiçin se po ngadalëson procesin. Gjykatësi Iain Bonomi e kundërshtoi ankesën e Karaxhiçit se procesi ndaj tij po ecte shpejt, duke thënë se Karaxhiçi e kishte zgjedhur vetë opsionin e vetëmbrojtjes. Deri tani procesi nuk ka arritur në asnjë pikë qëkur Karaxhiç u arrestua në Beograd. Mediat thonë se gjyqtarët e Hagës duan të mos lejojnë që Karaxhiç të pësojë të njëjtin fat si ish-presidenti serb Slobodan Milosheviç, që e zvarriti gjyqin duke u vetëmbrojtur për gati 4 vjet, derisa vdiq nga infarkti në qeli dy vjet më parë.
Gjermania i dhuron FSK-së 7 milionë euro
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung, e siguroi gjatë një takimi kryeministrin Hashim Thaçi se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën në fushën politike, ekonomike dhe ushtarake.
“Gjermania do të mbështesë procesin e krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”, - pohoi Jung. Për këtë qëllim, Jung tha se vendi i tij do të dhurojë 7 milionë euro. Fjala e tij u pohua edhe nga zyra për shtyp e kryeministrit Thaçi. Jung theksoi se Gjermania do të ndihmojë Kosovën edhe në kuadër të EULEX-it.
Gjatë vizitës në Kosovë, ministri i Mbrojtjes, Jung, zhvilloi një takim edhe me presidentin Fatmir Sejdiu dhe vizitoi kontigjentin gjerman të KFOR-it në Prizren. Në takim mori pjesë edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota.
29 Tetor 2008