Kosovë, Haraçija: “Sejdiu të japë dorëheqjen si president”
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Astrit Haraçija, i ka bërë thirrje presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, që të shqyrtojë opsionin e dorëheqjes. “Nëse presidenti Sejdiu e do aq shumë LDK-në, mund të japë dorëheqje nga posti i presidentit dhe të udhëheqë reformat e partisë pasi në këtë mënyrë do të përftonim një parti të qëndrueshme, në vend të një funksioni dekorativ”, - është shprehur Haraçia. Anëtari i LDK-së nuk e ka përjashtuar mundësinë që reformat brenda partisë të kenë efekte edhe në koalicionin e LDK-së me PDK-në, duke marrë parasysh se reformat mund të sjellin edhe njerëz të rinj në LDK. “Vetë fjala reformë është një fjalë e dhimbshme, për arsye se njerëzit mund të lëvizin pozicionet që mbajnë aktualisht. Në këtë mënyrë, ata mund të reflektojnë për të gjitha segmentet. Megjithatë, një reformë e mirëfilltë, në qoftë se mbahet, nuk besoj se do të sjellë reagime të mëdha”, - ka deklaruar Haraçija. Sipas tij, partia duhet të shqyrtojë edhe dorëheqjen e Blerim Kuçit, pavarësisht se ajo është e parevokueshme. Haraçia ka shprehur mendimin se duhet të sqarohen arsyet e dorëheqjes së Kuçit nëse ai e ka dhënë atë me vullnetin e tij apo u detyrua nga jashtë që të tërhiqej. Sipas deklaratave të Kuçit, dorëheqja është kërkuar nga kryetari i LDK-së dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Prandaj, Haraçia kërkon që të ketë sqarime, pasi në LDK ka zyrtarë që mendojnë se Sejdiu nuk ka kompetenca kushtetuese që nga posti i presidentit të Kosovës të interferojë në çështjet partiake. “Dorëheqjen e Kuçit, qoftë e parevokueshme apo një dorëheqje e thjeshtë, ne duhet ta diskutojmë në parti dhe në Kryesi të LDK-së”, - tha Haraçija.
Lidhja Demokratike e Kosovës është zotuar se do t’i vazhdojë reformat pavarësisht vështirësive të paraqitura pas dorëheqjes së parevokueshme të shefit ekzekutiv të partisë, Blerim Kuçi, i ngarkuar pikërisht për zhvillimin e reformave. Zyrtarët e kësaj partie presin rimëkëmbjen e saj pas rezultatit jo të mirë të treguar në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, thotë se pret që reformat të vazhdojnë edhe pas dorëheqjes së Kuçit duke i mbështetur reformat në këtë parti sipas dy dokumenteve të miratuara nga Kryesia e LDK-së. “Aktualisht po punohet për programin e partisë dhe kemi një rritje të cilësisë së organizimit politik e struktural para së gjithash për të ofruar edhe hapje të partisë për përtëritje, për forca të reja”, - është shprehur Manaj. Kuvendi i fundit zgjedhor i partisë rezultoi me ndarje në radhët e saj, kurse në zgjedhjet e fundit LDK-ja nuk arriti të jetë e para, por subjekti i dytë politik. Këto zhvillime janë marrë si arsye e mjaftueshme për nxitjen e reformave duke tentuar që kjo parti të rikthehet forcë e parë politike në vend.
De Kermabon: “EULEX-i do të jetë mision teknik, jo politik”
Shefi i misionit të Bashkimit Europian në Kosovë, Iv de Kermabon, deklaroi se misioni i EULEX-it do të jetë teknik dhe jo politik. De Kermabon, në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti”, deklaroi se ky mision vepron në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai ka shtuar se puna e tij si shef i këtij misioni në Kosovë nuk është të kërkojë mendimin e OKB-së për ligjshmërinë e EULEX-it, pasi “ai është shef i një misioni teknik dhe jo politik”. Në këtë intervistë, Kermabon tha gjithashtu se është i gatshëm të udhëtojë në Beograd për të shpjeguar më mirë mandatin e EULEX-it. “Jam i gatshëm të udhëtoj në Beograd për ta shpjeguar mandatin e EULEX-it. Dëshiroj t’i theksoj përparësitë dhe përfitimet e shumta që do të kenë, sidomos pakicat, nëpërmjet sundimit të ligjit”, - ka thënë Kermabon. Sipas tij, ka sinjale pozitive nga Beogradi, kur bëhet fjalë për pranimin e EULEX-it. “EULEX-i është një mision teknik që punon për të gjithë banorët e Kosovës”, - theksoi De Kermabon, duke shtuar se ky mision për momentin ndodhet në fazën e shtrirjes, në mënyrë që në muajin dhjetor të mund të jetë operacional.
29 Tetor 2008