SHBA, kandidatët presidencialë dalin me argumentet përmbyllëse
Ka mbetur edhe një javë deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama dhe Xhon Mekein, kanë dalë me argumentet përmbyllëse për të marrë votat e 4 nëntorit. Anketimet kombëtare kanë treguar se demokrati Barak Obama vazhdon të ketë epërsi në shumicën e shteteve kyçe për zgjedhjet e javës së ardhshme. Rivalët Barak Obama dhe Xhon Mekein kanë kritikuar planin ekonomik të njëri–tjetrit, duke thënë se planet e propozuara nuk e nxjerrin Amerikën nga kriza globale financiare. Obama u bëri thirrje votuesve të mos mendojnë se zgjedhjet kanë përfunduar dhe të vazhdojnë me mbështetjen e tyre deri në ditën e fundit. Mesazhi që Obama përcolli ishte së nëse zgjidhej president, do të merrej me bashkimin e vendit për t’u përballur me sfidat ekonomike brenda vendit dhe ato të sigurisë jashtë tij. Sipas tij, kandidati republikan Mekein përfaqëson vazhdimin e atyre që ai quajti politika të dështuara të presidentit Bush. “Xhon Mekein mund të jetë i shqetësuar se do t’i humbë këto zgjedhje, por unë shqetësohem për amerikanët që po humbin shtëpitë e tyre, punët e tyre, kursimet e tyre. Unë mund të duroj edhe katër javë sulme nga Xhon Mekein por vendi nuk mund të përballojë edhe katër vjet politika të dështuara. Ka ardhur koha për ndryshim”. Senatori Mekein ndërkaq vazhdoi fushatën në shtetin e Ohaios ku vuri theksin mbi çështjen e ekonomisë që sipas anketimeve vazhdon të jetë çështja më me rëndësi për amerikanët në këto zgjedhje. Ai tha se ndryshimet mes tij dhe senatorit Obama janë të mëdha dhe objektivat e tij ekonomike janë shumë të qarta. Zoti Mekein vazhdoi ta distanconte veten nga politikat ekonomike të presidentit Bush dhe vërejti se amerikanët duan ndryshim. Senatori republikan sulmoi propozimet e senatorit Obama në lidhje me taksat, që disa nga mbështetësit e zotit Mekein i krahasojnë me politika socialiste. “Ky është problemi me qasjen e senatorit Obama ndaj ekonomisë sonë. Ai ka më shumë interes ta kontrollojë pasurinë sesa ta krijojë atë, është më i interesuar ta shpërndajë pasurinë, sesa të nxisë mundësitë ekonomike. Unë do të shtoj të ardhurat e të gjithë amerikanëve dhe do të krijoj më shumë mundësi ekonomike”,- është shprehur Mekein. Fakti që të dy kandidatët zhvilluan fushatë në të njëjtën ditë në shtetin e Ohajos tregon rëndësinë e votave të këtij shteti për zgjedhjet. Asnjë kandidat republikan nuk ka fituar zgjedhjet presidenciale pa pasur votat e Ohajos. Xhon Kenedi ishte kandidati i fundit demokrat që fitoi presidencën në vitin 1960 pa fituar shtetin e Ohajos. Anketimet e fundit i japin një epërsi të lehtë kandidatit demokrat në këtë shtet.
Arrestohen 2 të rinj neonazistë, planifikuan atentat ndaj Obamës
Hetuesit federalë në SHBA kanë mundur të shmangin një atentat ndaj kandidatit demokrat për president, Barak Obama. Dy të rinj, përkatësisht 18 dhe 20 vjeç, janë arrestuar në Tenesi pasi kishin planifikuar të vrisnin njerëz me ngjyrë për të vazhduar më pas me vrasjen e senatorit Obama. Ata u ndaluan nga policia për një kontroll rutinë në qytetin Almo dhe në bagazhin e makinës me të cilën po udhëtonin ishin fshehur armë. Agjentët specialë të Policisë Federale, përgjegjës për armët dhe lëndët shpërthyese, zbuluan një pushkë, tre pistoleta dhe një pushkë gjahu. Dy neonazistët deklaruan se me këto armë ata kishin si qëllim të vidhnin një dyqan armësh për t’u armatosur rëndë. Me armët ata synonin të shkaktonin një masakër në një shkollë, e cila frekuentohet kryesisht nga të rinj me ngjyrë. 102 nxënës duhej të ekzekutoheshin me armë zjarri apo me prerje koke. Ky ishte plani i dy të rinjve, të cilët e cilësojnë veten racistë të bardhë. Më pas ata do të shkonin në një miting elektoral të kandidatit demokrat Barak Obama, për të qëlluar mbi të nga dritarja e makinës së tyre. Vrasja e kandidatit me ngjyrë për president Barak Obama, sipas fjalëve të radikalëve të djathtë, do të ishte finalja e masakrës në radhët e afroamerikanëve. Të rinjtë ishin njohur përmes forumeve dhe kishin llogaritur edhe vdekjen e tyre në atentatin e planifikuar ndaj Obamës.
29 Tetor 2008