E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shnajder: Interi një alternativë e mirë

Uesli Shnajder pranon se Interi mund të jetë një alternativë e mirë për të vazhduar karrierën. "Kam dëgjuar se Murinjo më cilëson zgjedhje të parë për rolin e fantazistit dhe jam i kënaqur për këtë vlerësim", deklaroi mesfushori holandez. "Portugezi është një trajner i madh, që drejton një skuadër me shumë emër. Nëse do të vendosja të largohesha nga Madridi, Interi mund të jetë një alternativë e pëlqyeshme". Gjithsesi, 25-vjeçari thekson se objektivi kryesor është që të vazhdojë të luajë me Realin, pavarësisht se konkurrenca e yjeve të afruar nga Florentino Perez mund ta dëmtojë për Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut. "Nuk kam asnjë informacion për zhvillimin e negociatave me klubet e interesuara dhe do të isha i lumtur nëse do të qëndroja në ‘Bernabeu‘. Reali ka shumë lojtarë fantastikë, por nuk kam frikë. Sezoni është i gjatë", shtoi Shnajder. "Duke qëndruar në Spanjë mund të kem probleme me Kombëtaren për Kupën e Botës, por ky është një rrezik të cilin e kam marrë parasysh. Prioriteti im është të qëndroj në Madrid, por pas dy javëve, gjithçka mund të ndryshojë". Ndërkohë, zikaltërit janë detyruar të rrisin ofertën për lojtarin deri në 20 milionë euro (kjo ishte shifra minimale që pretendon Reali). Lëvizja ka ardhur pas interesimit të Çelsit: Ançeloti e sheh "tulipanin" si alternativën e dytë pas Riberisë dhe është i gatshëm të paguajë menjëherë 18 milionë euro. Formula e transferimit do të bëjë që kampionët e Italisë ta paguajnë shifrën në tri pjesë, ndërsa duket se është arritur akordi me fantazistin, për të cilin është bërë gati kontrata 4-vjeçare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›