Ferrari, Masa mund të kthehet në Monza
Felipe Masa është rehabilituar me ritme të jashtëzakonshme. Nga shtëpia e tij në San Paolo, piloti i Ferrarit ka dhënë sinjale pozitive: ai ndihet mirë dhe po pret me padurim që të kthehet në pistë. 28-vjeçari ia ka komunikuar këtë dëshirë drejtuesve të "kokëkuqes", ndërsa burime pranë pilotit pohuan se ai ka shprehur dëshirën të kthehet menjëherë në gara. Megjithatë, pas aksidentit të tmerrshëm në Hungari, procesi për të hipur në timonin e F60 është i gjatë. Masa duhet t‘u nënshtrohet sërish kontrolleve mjekësore, ndërsa aktualisht ai ndodhet nën vëzhgimin e mjekut, Dino Altman, i cili pohon se situata është ende problematike. Gjithsesi, Felipe shpreson që në fillim të shtatorit të marrë "Ok"-in pas konsultës me mjekët e FIA-s në Paris dhe të jetë i gatshëm të garojë në Çmimin e Madh të Monzas, më datë 13.