Trezege i jep zemër Juves: Tani duhet të fitojmë
David Trezege nuk ka më dyshime. Ka pasur shumë gjatë kësaj vere, pasi vinte nga një sezon i vështirë për shkak të një dëmtimi dhe të një marrëdhënieje jo të mirë me Klaudio Ranierin. Dëshira për të ndryshuar ambient dhe interesimi i Milanit e i disa skuadrave të tjera gati e kishin bindur të largohet. Por Juve nuk qëndroi duarkryq, dhe ka rifituar kampionin e saj falë blerjeve të rëndësishme në merkato, besimit të Ferrarës, vlerësimit të shokëve të skuadrës dhe të klubit. Tani David Trezege nuk ka më dyshime, vetëm qartësi. "Fjalët e Xhon Elkan për mua kanë qenë të rëndësishme, më kanë motivuar dhe kanë konfirmuar besimin e klubit ndaj meje. Shpresoj të jap kontributin tim dhe të luaj një sezon si protagonist. Tashmë jemi shumë kompetitivë, blerjet e reja kanë krijuar një entuziazëm të madh te tifozët dhe te grupi. Do të jetë fusha ajo që do të tregojë të gjithë atë që kemi bërë deri tani. Juvja mundet dhe duhet të fitojë. Po punojmë edhe për këtë, nuk fitojmë që prej dy vitesh, u bë shumë kohë. Klubi e bëri të vetën, tani na takon neve: duhet të arrijmë objektivat. Do të jetë e vështirë të fitojmë kampionatin, Championsin dhe Kupën e Italisë. Kemi armë të ndryshme nga Mançester Utd, Real Madrid apo Barcelona, por do të provojmë të çajmë përpara edhe në Europë. Kanë ardhur tre lojtarë fondamentalë, kemi kualitete në çdo rol. Do të ketë hapësirë për të gjithë. Do ta vëmë në vështirësi Ferrarën, do të ketë edhe nga ata që do të ulen në pankinë, apo do të përfundojnë në tribunë". Më pas, ai flet edhe në lidhje me besimin që i ka thënë trajneri i ri i Juventusit, Çiro Ferrara. "Në vendimin tim për të qëndruar në Torino ka ndikuar edhe roli i Ferrarës. E njoh që kur luante futboll, më ka bërë një diskutim të qartë e të thjeshtë. Me pak fjalë, ashtu siç më pëlqen mua. Kam folur edhe me shokët e skuadrës: më kanë bërë të kuptoj se kam dhënë shumë për Juven dhe këtë dëshiroj të bëj edhe tani. Kanë qenë momente delikate, por tani jam shumë i kënaqur që qëndrova. Më ka kërkuar Milani, për mua ishte një stimul më shumë. Pas 10 vitesh te Juve, nuk më dukej se kishte ardhur rasti për të shkuar në Milano, mbi të gjitha për respekt të shokëve të skuadrës dhe tifozëve. Të paktë janë ata që luajnë 10 vitet për Juventusin, në veçanti të huajt. Më mungojnë 5 gola për të arritur Sivori dhe më pas do të bëhem golashënuesi më i mirë i huaj i Juventusit. Kam mundësinë për të hyrë në historinë e këtij klubi". Më pas bëj një krahasim mes trajnerit aktual dhe Kapelos. "Sezoni im më i mirë ka qenë 2004-2005, nën drejtimin e Kapelos. Tani ndiej të njëjtin entuziazëm si dikur. Pas dëmtimit, viti i kaluar ka qenë i vështirë. Tani kam rigjetur motivimin dhe dua të demonstroj vlerat e mia. Gjë që vitin e kaluar nuk më është dhënë mundësia ta bëj".
Titulli
Lëshon sfidën në luftën për titull: "Me blerjen e Eto‘o Interi vazhdon të jetë skuadra për t‘u mundur. Edhe ne kemi bërë blerje shumë cilësore. Ka një entuziazëm të madh në dhomat e zhveshjes. Interi është favorit, por Juventus është aty-aty"
Titulli
Lëshon sfidën në luftën për titull: "Me blerjen e Eto‘o Interi vazhdon të jetë skuadra për t‘u mundur. Edhe ne kemi bërë blerje shumë cilësore. Ka një entuziazëm të madh në dhomat e zhveshjes. Interi është favorit, por Juventus është aty-aty"