E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e naftës, dyshohen tetë policë

Shkon në tetë numri i policëve që janë ndaluar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i policisë së Fierit për vjedhje karburanti në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës (KPTHN) Ballsh. Ndërkohë që struktura e SHKB-së deklaron se nga hetimet ka rezultuar se gjatë periudhës që po kryhej vjedhja, në KPTHN është ndërprerë energjia elektrike për më shumë se tri orë, çka e shtrin hetimin edhe në institucione të tjera.

Arrestimet

Tre policë të tjerë dhe komandanti i togës janë shoqëruar prej Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Drejtorisë së Policisë Fier për t‘u hetuar lidhur me konstatimin e vjedhjes së naftës në Kombinatin e Ballshit. Këto ndalime të policisë, të cilat priten të shoqërohen me arrestime të tjera janë kryer gjatë orëve të vona të së dielës dhe paraditen e djeshme, kur edhe agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kishin përfunduar së marri në pyetje katër policët e arrestuar një ditë më parë. Sipas burimeve zyrtare nga SHKB-ja e Fierit konfirmohet se "tre policë të tjerë që ruajnë KPTHN-në do të ndiqen penalisht, ndërkohë që në ndjekje penale është edhe komandanti i togës, Petrit Murataj". Zbulimi i këtij grupi ka ardhur pas deklarimeve të katër policëve të parë. Mësohet se ata kanë thënë për agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm se: "ishim të detyruar të vidhnim gazoil, pasi ndiheshim nën presionin e mospagesës, si dhe të komandantit Petrit Murataj". Kjo deklaratë e dhënë nga të katër të prangosurit e parë çoi në shoqërimin dhe hetimin e tre efektivëve të tjerë, si dhe komandantit të tyre, Murataj. Burimet zyrtare nga SHKB-ja sqarojnë se në momentin e arrestimit policët kishin lënë vendrojat që ishin përcaktuar në librin e shërbimeve dhe ishin në vendet ku ndodhi vjedhja. Këtë e kanë justifikuar me faktin se u kishte dhënë urdhër komandanti. Toga, e cila drejtohej nga Murataj përbëhej nga 12 policë, tetë prej të cilëve janë arrestuar.

Bashkëpunëtorët

Burime zyrtare të policisë së Fierit bëjnë të ditur se gjatë natës kur është konstatuar vjedhja e gazoilit, në KPTHN ka pasur një ndërprerje të energjisë elektrike prej më shumë se tri orësh. Ndërprerja e energjisë është diçka e pazakontë në këtë kombinat dhe ky fakt i ka bërë hetuesit të dyshojnë për një bashkëpunim mes policëve që vidhnin naftë dhe personave që mbajnë përgjegjësi për furnizimin me energji të kombinatit. Zyra e informacionit në Drejtorinë e Policisë Fier bënë të ditur për "Shqip" se janë marrë në pyetje drejtori i TEC-it të Ballshit, ai i KPTHN-së, si dhe drejtues të tjerë të lartë. Këto burime sqarojnë se krerë të TEC-it dhe të kombinatit janë objekt hetimi dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimit të ndonjërit prej tyre. Konfirmohet se rrjeti nga furnizohet me energji KPTHN-ja nuk ka pasur asnjë defekt gjatë natës së të shtunës, çka përforcon dyshimet për një ndërprerje të qëllimshme të energjisë, nga bashkëpunëtorë të policëve që vidhnin naftë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›