E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dora e forte" dhe populli i dobet

Gjithnjë e më tepër, duhet theksuar me një lloj trishtimi, na ka rënë rasti të dëgjojmë nga pak kudo nëpër Shqipëri termin "dorë e fortë". "Na duhet ende një dorë e fortë…, ah, sikur të kishim edhe ne këtu në fshat një dorë të fortë si ju atje në Tiranë… të kishim një dorë të fortë edhe ne nuk do të vuanim kështu tani… vetëm një dorë e fortë e zgjidh këtë hall, more vëllezër… e kështu me radhë. Mania për të pasur një apo shumë "duar të forta" ka shkuar deri atje sa që, jo në pak raste, kemi dëgjuar edhe shprehjen absurde: Sikur të ishte sot gjallë Mehmet Shehu! Ai po që e zgjidhte këtë punë! Nuk është puna se këtë psherëtimë therëse na e kanë përsëritur vetëm barinj të vetmuar ndër stanet e tyre, atje ku mania e televizionit nuk ka hyrë ende, as e kemi dëgjuar mbi ndonjë shkrep të thepisur ku jeta mezi mbahet në këmbë, jo! Kjo shprehje na është thënë edhe nga mësues, mjekë, inxhinierë, kolegë gazetarë, studentë, madje dhe politikanë vendorë apo të qendrës. Me një fjalë, kjo puna e "dorës së fortë" na është kthyer në një lloj vetie kombëtare, në një si lloj ngjyre që na dallon nga popujt e tjerë, në një simbol kombëtar, njëlloj sikurse janë malet tona të larta.

Në fillim duhet të pranojmë se eufemizmi "dorë e fortë" është një togfjalësh fort i gjetur i shqipes. Dora, formën e së cilës e trashëgojmë nga kushërirët tanë majmunë që jetonin ende mbi pemë, është një gjymtyrë e përsosur. Nga funksionet e saj më kryesore është të ushqyerit. Dhe ky funksion jetik bëhet në sajë të kapjes. Pa dorë nuk arrijmë të kapim gjë. Dora jep mallin dhe merr lekët. Me pak fjalë dora bën prokopi. Mund të vazhdojmë shumë gjatë me funksionet e dorës, ato janë gati-gati të pafundme. Por shprehja për të cilën po flasim ka dalë, me sa duket, nga një funksion i dhunshëm i dorës: nga druri, apo dajaku, quajeni si të doni. Kështu njeriu që cilësohet "dorë e fortë" është ai që dorën di ta përdorë sa më mirë për të ndëshkuar të tjerët. Dikur këtë e bënte edhe fizikisht i ndihmuar nga mjete të tjera fshikulluese si huri i gardhit, thupra, kamxhiku, masha, heshta, shqelmi, purteka dhe të tjera emra të respektueshëm. Tani, në mijëvjeçarin e tretë, "dora e fortë" përdor të tjera mjete, dhunë direkte apo indirekte, por më së shumti demagogjinë dhe formën e saj më të keqe gënjeshtrën e hapur.

Gjithnjë jemi çuditur me ata që kërkojnë një "dorë të fortë" edhe më të fortë se kjo që kemi mbi krye. Ne e kemi tashmë një të tillë. Kjo që na drejton sot e kësaj dite për shembull nuk pyet fare. Një herë të cilëson mafioz, bolshevik, kontrabandist e kur t‘i teket asaj të afron pranë vetes të miklon dhe të emëron këshilltar, ndihmës, ministër, apo të jep koncesione të tjera ku ti mund ta mbushësh xhepin, mjaft që të mos largohesh nga teoria e domosdoshmërisë së të sunduarit të "dorës së fortë".

"Dora e fortë" nuk e ka për gjë që të krijojë monopole, sikurse ndodhi me naftën për shembull. Ai nuk pyet fare për të tjerët. A nuk ishit ju vetë që kërkuat një "dorë të fortë", pra mua që jam më e forta ndër të fortat? Kështu duket sikur thotë sa herë që hapet e mbyllet ndër tribuna televizive.

"Dora jonë e fortë" nuk e ka për gjë që të miratojë ligje - mos harroni se duart edhe duhen larë herë pas here - vetëm që të largojë nga puna ata që po hetonin ca afera rreth e rrotull tij. "Dora jonë e fortë" mbahet fort te sukseset e ekonomisë shqiptare. U deshën disa duzina me burra dhe ca më shumë me gra që t‘ia mbushnin mendjen se Shqipëria këtë vit ka pasur normë më të ulët zhvillimi se sa Kina. "Dora e fortë" rezistoi sa rezistoi, sikurse i takonte, por më në fund u kënaq, me 6-7 për qind. Për të, të gjitha arritjet janë të tijat dhe vetëm të tijat. Të tijat janë sukseset ekonomike, shtëpitë e mira në fshat, veshjet më të mira të shqiptarëve, rrugët po se po, por edhe notat e mira të studentëve deri edhe çelja e luleve në pranverë. Nuk ka rrugë tjetër. Ma kini lënë mua në dorë, atëherë çdo gjë e mirë është suksesi im, ani pse gjatë vitit që porsa shkoi shumë shqiptarë kanë vjellë gjak për të përmirësuar të ardhmen e fëmijëve të tyre, shumica pa e ditur edhe aq mirë se ku është ndryshimi mes dy krahëve të mëdhenj të politikës, ani pse ato notat e mira e dinë ata nxënës se si i kanë marrë, ani pse sukseset e brishta nuk kanë arritur të na heqin njollën tonë të madhe, varfërinë. "Dora e fortë" nuk mërzitet, ai buzëqesh ngadhënjimtar, i mbështetur fort në atë psherëtimën që përmendëm që në fillim: Ah, sikur të kishim një…

Dhe kështu vazhdon jeta jonë e përditshme. Me një dorë të fortë mbi krye dhe me shpresën se na duhet një tjetër edhe më e fortë që të na rregullojë hallet. Opozita, më saktë, një pjesë e vogël e saj, reagon, turfullon, nuk bindet, hedh shqelma, ankohet, porse "dora e fortë" mbetet e shtrënguar dhe shkelmat deri më sot janë hedhur në ajër dhe nuk kanë zënë gjëkundi. Ka ndodhur kështu, dhe kjo është një hamendje dhe jo bindje, sepse edhe ndër kryet e saj, apo një pjese të mirë të saj, vazhdon të përsëritet, ndoshta instinktivisht, ajo psherëtima therëse: Ah sikur të kishim një… Ndryshimi me sa duket është që askush nuk ka hequr dorë nga kërkesa për një "dorë të fortë". E gjithë puna është se cila dorë do të jetë e fortë: e majta, apo e djathta?

Deri në qershor koha do të kalojë shpejt, e mbushur me shtrëngime dhe lirime të tjera të "dorës së fortë" dhe me shkelmime në ajër të të pabindurve. Njerëzia do të vazhdojnë të thonë: Ah sikur… Televizionet do të buçasin nga premtimet, fjalitë-bombë, deklaratat e pafund dhe më në fund do të vijnë zgjedhjet. Keni për ta parë që do t‘i fitojë një "dorë e fortë". Nuk paska shpresë tjetër për popujt e dobët. Sa më shumë që qeveritë, ministrat, deputetët, njerëzit me pushtet me pak fjalë, t‘i shohim jo si nëpunës në shërbimin tonë, porse si sundimtarë të cilët na i ka caktuar vullneti hyjnor, aq më të dobët do të jemi si popull dhe aq më shumë do të kërkojmë pastaj "duar të forta".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›