E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk duam tjetër Gërdec!

Deri në vitin 1990, Shqipëria kishte një numër të kufizuar të inventarit të automjeteve, që transportonin mallrat e rrezikshme dhe, kryesisht parkun e eksportit e pak mjete në transportin e brendshëm.

Transporti i atyre mallrave, në përgjithësi, mbahej nën kontroll, edhe pse kishte një legjislacion gjysmak. Atëherë, nuk kishte gaz, por bombola oksigjeni, që transportoheshin në kushte të rrepta teknike. Çdo bombol flinte në bokset e veta prej gomine, për të evituar përplasjet e tyre, në kamionët me tendë përsipër për mbrojtjen nga dielli dhe të hapura anash për ajrosje. Kamionët kishin pajisje dhe atrecatura kundër zjarrit, e për ironi të fatit, në ato vite nuk pati ngjarje të veçanta e të rënda. Nëse ndodhi ngjarja e Gërdecit, Poliçan, Korçë e gjetkë, të jeni të sigurt se nuk është zbatuar asnjë kusht teknik.

Por çfarë po ndodh aktualisht?

Janë miratuar ligjet nr. 8308, datë 18.03.1998, ligji 9706, datë 21.06.2007, tjetri me numër 8378 i vitit 1998, një tjetër 9808 i 24 shtatorit 2007 etj., që rregullojnë të gjitha procedurat për transportin e mallrave të rrezikshme për vete, të tretët dhe ata me qira, me transport hekurudhor apo detar. Ligjet synojnë parandalimin e rrezikut që vjen nga ky transport me veti vetëndezëse, helmuese, shpërthyese, avulluese, infektuese apo radioaktive. Këto ligje përcaktojnë modalitetet, kompetencat dhe përgjegjësitë e autoriteteve përkatëse, duke filluar nga drejtuesit e automjeteve deri te poseduesit. Mallrat e rrezikshme klasifikohen sipas shkallës së rrezikut dhe konsiderohen të tillë ato që vënë në rrezik sigurinë publike, rendin publik, jetën dhe shëndetin e njerëzve, kafshëve. E nga ana tjetër, të rrezikshme konsiderohen ato lëndë, karakteristikat dhe bartja e të cilave është e ndaluar dhe lejohen të transportohen vetëm në kushte rreptësisht të posaçme.

Në kuadrin e masave që ka marrë dhe po merr qeveria për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, edhe kjo çështje është pjesë integrale e integrimit. Në këto kushte, Shqipëria ka aderuar në Konventën e ADR-së (për transportin e mallrave të rrezikshme në rrugë tokësore), RID dhe COTIF për transportin me hekurudhë etj. Ajo duhet të zbatojë detyrat dhe të drejtat që burojnë nga anëtarësimi në konventat e sipërcituara. Këto rregulla janë të detyrueshme për shtetet, subjektet shtetërore, private, juridike apo fizike.

Disa nga mallrat që klasifikohen si shumë të rrezikshëm, krahas shumë të tjerave, janë materialet toksike, korrozive, që mund të shkaktojnë përhapje të radioaktivitetit, radiotoksitetit, çlirimin e gazit helmues, helmimin e ujit të pijshëm, ashtu si edhe baruti, gazi i ngurtë dhe i lëngshëm, oksigjeni, nafta me nënproduktet e saj, squfuri, miporet etj.

Të gjithë mendojnë se mbajtja e një pajisjeje zjarrfikëse në automjet ose kudo qofshin ata, është i mjaftueshëm. Ajo që dëshiroj të them është se, ngjarjet e ndodhura vitin e kaluar, e sidomos tragjedia e Gërdecit, na bëjnë të mendojmë se ka ardhur koha të përshtasim rregulla dhe ligje të forta parandaluese e ndëshkuese. Inspektorati respektiv, që kontrollon këtë sektor, është thuajse jashtë loje, jo për fajin e tij, por sepse për gati njëzet vjet, ky sektor konsiderohet i tepërt ose i dorës së dytë. Çuditemi kur dëgjojmë se për Gërdecin kërkohet përgjegjësi vetëm te Ministria e Mbrojtjes dhe lihen jashtë vëmendjes të tjera ministri, që detyrohen me ligj të kontrollojnë të gjitha njësitë, ndërmarrjet shtetërore dhe private, subjektet juridike apo fizike. Të gjithë i shikojmë dyqanet me fruta-perime, minimarkete dhe të çfarëdo lloji tjetër, por që shesin njëherazi edhe bombola gazi. E askush nuk flet. Nga ana tjetër, firmat që tregtojnë gaz e ushtrojnë aktivitetin në kushte anormale dhe jashtë çdo standardi. Atyre u mungojnë sistemet e plota, pajisjet dhe atrecaturat; bombolat janë të papërdorshme dhe me orë pune (shumë vende i kanë njëpërdorimshme); punëtorët janë të patrajnuar, nuk janë në gjendje të mbrojnë veten dhe jo më jetën e qytetarëve; pikat e karburantit janë në mes të qendrave të banuara dhe të ndërtuara pa plotësuar asnjë kusht teknik (kush i certifikoi?!); transporti i gazit dhe, thuajse i të gjitha mallrave të rrezikshme, bëhet pa u zbatuar asnjë kusht. Kini parasysh se Shqipëria ka rreth 400 kamionë, që transportojnë mallra të rrezikshme. Ky inventar mjetesh është i vjetër (një kamion është blerë maksimumi 10 mijë euro). Vetëm atrecaturat kushtojnë 20 mijë euro dhe, në këtë mënyrë, firmat dhe drejtuesit e automjeteve preferojnë të udhëtojnë pa to dhe nën presionin e rrezikut. Pse e lejojmë këtë situatë? Apo jemi mësuar të mobilizohemi sa herë ndodhin fatkeqësi?

Pra, për ta rregulluar këtë "punë" dhe për të evituar ngjarjet eventuale, duhen marrë disa masa urgjente, që mendoj se duhet të jenë:

- të përshtaten akte ligjore apo nënligjore e të forcohen masat dhe penalitetet për shkelësit e ligjit, si dhe të forcohen më shumë institucionet përkatëse

- të trajnohen jashtë shtetit inspektorët që punojnë në këtë sektor në të gjitha nivelet (sepse askush në vendin tonë nuk e njeh këtë sektor)

- të trajnohen dhe certifikohen të gjithë punonjësit që punojnë në të gjitha njësitë, ku ushtrohen aktivitete me mallra të rrezikshme

- trajnimin dhe certifikimin e drejtuesve të automjeteve për

transportin e mallrave të rrezikshme (ADR) nuk duhet ta bëjë DPSHTRR-ja, për shkak se nuk ka specialistë të këtij niveli dhe ka konflikt interesi

- të ngrihet urgjent, nga Ministria e Punës dhe e Shanseve të

Barabarta, një qendër formimi profesional me specialistë të aftë, në mënyrë që të trajnojë dhe certifikojë të gjithë drejtuesit, inspektorët, si dhe të gjitha nivelet e punonjësve që punojnë në këtë sektor

- njësitë apo subjektet juridike fizike, që tregtojnë mallra të

rrezikshme në përgjithësi dhe gaz në veçanti, të mos ushtrojnë aktivitet tregtar në qendra të banuara, por në vende të posaçme e të miratuara nga organet shtetërore.

Sepse nuk duam tjetër Gërdec!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›