E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzgu i nje presidenti

Pak ditë dhe Xhorxh Bush (George W. Bush) dhe aktiviteti i tij si President do t‘i përkasë historisë. Kur një funksionar largohet nga jeta publike, opinioni është i prirur ta trajtojë me indulgjencë aktivitetin dhe pasojat e tij. Natyra njerëzore është e prirur drejt harresës, e nostalgjia e veprimeve të mira sfumon veprimet me pasoja e probleme. Por në rastin e Presidentit Bush, gjykimi i historisë do vonojë të vijë, pasi shumë veprime të tij do mbesin për zgjidhje edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

I ardhur në fuqi në vitin 2001, pas zgjedhjeve të fituara me një grusht votash në shtetin e Floridës, ku drejtonte vëllai i tij Xheb, çka dhe shkaktoi shumë dyshime mbi rregullsinë e votimit, presidenca e tij ishte e paragjykuar që në hapat e parë. Kundërshtari Al Gore kishte ditur të fitonte zemrat e opinionbërësve, ku firma të spikatura ishin rreshtuar haptas në kampin e tij. Kjo pjesë e elitës amerikane filodemokrate, vështirë t‘ia falte humbjen e beniaminit të saj Gore. Në vizionin e tyre, Bush, përfaqësues i monopoleve të naftës dhe industrive të armatimit, i kishte marrë mandatin në mënyrë të pamoralshme Al Gore, që mishëronte politikën e paqes dhe bashkëjetesës; ish-ushtarit të Vietnamit, i cili kishte ditur të bëhej pëllumb i paqes. Filmi i Majkëll Mur, "9/11", tregon fare pak inatin e grumbulluar kundër Bush.

Por pavarësisht paragjykimeve, viti i parë i presidencës së tij ishte i qetë dhe i matur. Përballë segmenteve që e këshillonin të ishte më agresiv, Bush diti të mbante një ekuilibër të lavdërueshëm. Mjafton të kujtojmë uljen me forcë nga kinezët të avionit interceptor amerikan, ku në vend të reprezaljeve, Bush zgjodhi rrugën e tratativave, duke e trajtuar Kinën si partner dhe jo me paragjykimet e shekullit XIX. Ndër hapat e lavdërueshëm të tij qe edhe ndërmjetësimi në konfliktin izraelito-palestinez, që solli nënshkrimin e "Road Map", e cila do ishte rruga e paqëtimit.

Nëse historia do kishte vazhduar në këtë rrjedhë, ne do lexonim në të ardhme biografinë e një Presidenti amerikan që jetoi midis Shtëpisë së Bardhë dhe ranch - it, duke ushtruar pushtetin në mënyrë më shumë të ngjashme me paraardhësit në shekullin XIX.

Por atentatet e 9 shtatorit të vitit 2001 nxorën në pah një tjetër President. Edhe nëse nuk do ishte në natyrën e tij agresiviteti, populli priste një President luftarak dhe këtë Bushi ua dha me fjalimin e tij frymëzues mbi gërmadhat e kullave binjake, në mes njerëzve që pastronin rrënojat. Ato ishin pamje që bënë xhiron e botës, duke dhënë mesazhin se kombi amerikan nuk kishte rënë në gjunjë. Tashmë, ai ishte kryekomandanti i kombit më të madh dhe të fuqishëm të botës, i goditur pabesisht pas krahëve nga një armik injorant, i largët dhe i pabesë. Nën miratimin e gjerë të amerikanëve dhe perëndimorëve, Bush ndërmori luftën kundër talebanëve dhe, si rrjedhojë, pushtimin e Afganistanit. Që nga ajo ditë, dhe ende sot, trupat amerikane janë duke u përballur me një luftë e cila nuk njeh kufi dhe rregulla. Po bëhen vite, që në malet e këtij vendi humbasin jetë amerikanësh dhe aleatësh të tyre, në përpjekje për të zhdukur rrënjët e terrorizmit të markës islame.

A do t‘ia dalin amerikanët atje ku dështuan anglezët në fillim të shekullit XX dhe rusët në fund të tij? A do jenë në gjendje të paqësojnë shpirtrat e banorëve të këtij vendi, të cilët prej 30 vjetësh njohin vetëm luftëra dhe ku një gjeneratë e tërë nuk ka parë një jetë normale? A do lënë pas një vend që ka marrë rrugën e zhvillimit, emancipimit dhe mirënjohës për veprën e amerikanëve? Apo trashëgimia e tyre në Afganistan do jetë vetëm një fitore ushtarake e arritur mbi një grumbull kufomash talebane dhe një tokë të djegur?

Këto dilema e kanë brejtur Bush-in në kohën e vendimmarrjes për nisjen e betejës dhe do ta mundojnë edhe për shumë kohë pasi të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë. Përgjigjja e tyre do jetë ngulmuese për Obamën e ndoshta edhe për pasardhësin e tij.

Në vitin 2003 sulmoi Irakun, duke filluar një luftë të kushtueshme në jetë njerëzore dhe materiale. Lufta e Irakut i dha kauzë ekstremizmit islamik. I dha shkas edhe përçarjes në radhët e aleatëve perëndimorë, divergjencat e të cilëve u bënë thekshëm të dukshme. Herë me mospjesëmarrjen e tyre në koalicion si Franca dhe Gjermania, herë me tërheqjen në panik nga presioni i atentateve islamike si Spanja, Amerika me një grusht aleatësh bënte dhe bën një luftë e cila është paragjykuar.

Sot është harruar se në atë mot, Iraku qeverisej nga një diktator lunatik si Sadam Huseini, që herë pushtonte një vend; herë zbonte inspektorët e OKB-së duke poshtëruar autoritetin e saj; por, që kishte si emërues të përbashkët dhunën shtazarake ndaj kujtdo që kontestonte pushtetin e tij. Iraku ishte kthyer në një bazë dhe bankë të terrorizmit ndërkombëtar. Në tokën e tij, stërviteshin kandidatët e rinj dhe gjenin strehë veteranë të terrorit si Abu Nidal. Nga arkat e tij, sponsorizoheshin me premion 5.000 $ kamikazët palestinezë.

A ishte pushtimi rruga e vetme për eliminimin e Irakut si burim infeksioni që rriste temperaturën edhe ashtu të lartë të Lindjes së Mesme? A ja vlente humbja e aq shumë jetëve amerikane në një luftë që bota e paragjykonte dhe dobinë e të cilës Amerika e dyshon përditë e më shumë? A ndihmon kjo luftë në trembjen e shteteve, të cilat Shtetet e Bashkuara dhe vlerat që ajo përfaqëson i kanë objektiv të luftës së tyre; apo kjo tendosje e rezervave ushtarake amerikane ju dha më tepër mundësi këtyre shteteve "bastardë" të zgjerojnë dhe rrisin aktivitetin e tyre minues për paqen dhe stabilitetin? A ja vlente që flamurin bardhekuqeblu me yje e shirita, që shikohet si flamur i lirisë, nën hijen e të cilit të gjithë janë të barabartë, sot shumë arabë ta shohin si simbol i kryqtarëve të rinj?

E nëse lëmë anash Irakun: A mund të shmangej kriza e sotme financiare? A ka qenë rritja ekonomike gjatë presidencës së tij reale, apo nën efektin doping të masave të administratës së tij?

Këto pyetje e shumë të tjera, me siguri do mundojnë Bushin në ditët e tij të sprasme. Përgjigjja e tyre do kërkojë ende shumë kohë, jetë njerëzore, shpenzime materiale e kosto morale. Iniciatori i tyre do gjykohet në bazë të përfundimit të zgjedhjeve që nisi.

Gjatë tetë viteve të presidencës së tij, mund të mos kishte reaguar ndaj problemeve që i nxirrte koha, por nuk është kjo çfarë pritet nga një President. Bush nuk mund të akuzohet për pasivitet në zgjidhjen e tyre. Mirë apo keq, ai u përpoq t‘i jepte vendit dhe botës së lirë zgjidhjen më të mirë që mendonte. Shpesh herë, një udhëheqës që ka çelësat e komandës dhe fijet e pushtetit, është i detyruar të marrë vendime në kundërshtim me bindjet e tij, por në përputhje me kërkesat e kohës. Sa nga këto vendime Presidenti Bush i ka marrë në përputhje me vullnetin e tij dhe sa në kundërshtim me bindjet e tij? Këtë ne s‘do ta mësojmë kurrë dhe ai nuk ka për ta thënë. Një lider duhet të rrezatojë vendosmërinë në zgjedhjet që ka bërë, deri në ditët e fundit të jetës së tij, edhe në paçin qenë zgjedhje të gabuara. Në fund të fundit shumë njerëz kanë besuar, luftuar dhe dhënë jetën për një vendim të tij, ndaj nuk duhen zhgënjyer.

Pavarësisht gjykimeve që do japi bota dhe historia, për ne shqiptarët është dhe do mbesë një mirëbërës i madh. Gjithmonë do jetë njeriu që njohu lirinë e dy milionë shqiptarëve të Kosovës dhe përkrahu Shqipërinë të jetë pjesë në aleancën e madhe të Perëndimit. Mirënjohja e shqiptarëve dhe historisë sonë është ajo që nuk do t‘i mungoje edhe më pas. Pension të mbarë Presidenti Bush!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›