E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqja e Berishës dhe pakti PS-PD

• Ndre Legisi

Ftesa për anëtarësim në NATO, tashmë një realitet, sigurisht që është  ...një arritje e rëndësishme në zhvillimin dhe integrimin e shtetit shqiptar në strukturat euro-atlantike. Por, nuk duhet të fshehim faktin, se për shkak të konflikteve politike dhe papërgjegjshmërisë së disa drejtuesve të vendit, Shqipëria e merr ftesën e fundit, krahasuar me vendet e tjera që filluan proceset demokratike në të njëjtën kohë me ne. Prej 17 vitesh reformat integruese kanë qenë peng i një politike konfliktuale, që ka bllokuar edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Situatat dramatike që ka kaluar Shqipëria herë pas here, lidhen më së shumti me emra të caktuar politikanësh, të cilët për fat të keq ende vazhdojnë të shmangin dhe të largojnë nga vetja përgjegjësitë dhe të monopolizojnë arritje që vetëm atyre nuk ju përkasin. Ndaj dhe ftesa e anëtarësimit në NATO, nuk mund të jetë aspak meritë personale e Berishës, i cili e pengoi marrjen e kësaj ftese që në vitin 1996, me vjedhjen e votave, si dhe me papërgjegjshmërinë e tij për të qëndruar me çdo kusht në pushtet në krizën e ‘97.  
Për fat të keq, nga lidershipi i PS-së pretendohet që reforma të mëdha që na presin për t’u anëtarësuar përfundimisht në këtë aleancë prestigjioze, të mund të udhëhiqen nga Sali Berisha. Nga ana tjetër, në mënyrë paradoksale drejtues të PS, mendojnë se mund të udhëheqin reformat duke qenë në opozitë! Ata harrojnë se dorëheqja e Berishës është një domosdoshmëri dhe kërkesë e gjithë opinionit publik shqiptar si dhe një kontribut shumë i madh për anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO. Kjo për arsye se Berisha, tashmë është një emër i njohur brenda dhe jashtë vendit për “bëmat” e tij në dëm të popullit të vet. Eshtë e pafalshme për opozitën që të vazhdojë t’i japë pa fund kredite një njeriu që me diversionet e tij brenda saj, ka ditur në mënyrë sistematike të krijojë konflikte dhe përçarje e të dalë fitues. A nuk ishte Berisha që brodhi në gjithë kancelaritë e botës me ankesat e tij për dëmin që kishte pësuar nga Dushku i vogël, në 2001, që së bashku me lidershipin e atëhershëm të PS-së në 2005, miratoi një reformë zgjedhore që ligjëroi deformimin e votës së shqiptarëve përmes një tjetër Dushku, më të madh nga i pari. A nuk është prapë sot Sali Berisha dhe PD-ja, që në bashkëpunim me PS-në, arrijnë një konsensus për të deformuar votën dhe vullnetin e popullit shqiptar. Nëpërmjet një sistemi të korruptuar zgjedhor, lidershipet aktuale të dy forcave të vjetra politike, synojnë të instalojnë një model zgjedhjesh, që zhvleftëson përfundimisht nga 4 deri në 25 për qind votën e shqiptarëve.    
Sot më tepër se kurrë është e pafalshme për opozitën shqiptare, që pas kaq shumë provash destruktive të Berishës në vite, të pretendojë me naivitet se do gjejë vullnet politik për realizimin e dy reformave madhore, siç është ajo në drejtësi dhe reforma zgjedhore. Si mundet të besohet në sinqeritetin e një njeriu që erdhi në pushtet duke tundur kartën e luftës kundër korrupsionit dhe tashmë e ka çuar Shqipërinë në krye të listës së vendeve më të korruptuara në botë.
Prandaj, qëndrimet e dyzuara të kryetarit të PS lidhur me dorëheqjen e Berishës, dëmtojnë rëndë rolin dhe misionin opozitar, duke tradhtuar interesat e shumicës së popullit shqiptar. Skenarë të tilla që vazhdojnë me luhatjet e habitshme nga paktet qesharake që ideohen dhe realizohen si marrëveshje në mes PD dhe PS, e deri tek fërkimi i shpatullave të Berishës, dëshmojnë qartë për një mashtrim të madh ndaj popullit shqiptar në radhë të parë, sikurse dhe ndaj vullnetit për reforma gjithëpërfshirëse që kërkojnë partnerët ndërkombëtarë. Eshtë e qartë se prapa këtyre fasadave farsë, qëndrojnë marrëveshje të paprincipta që synojnë jo largimin e Berishës nga pushteti, por realizimin e disa qëllimeve në dëm të opozitës. Këto metoda dhe forma janë po kaq të vjetra sa dhe vetë politika e këtyre 17 viteve.
Cilido që pretendon se mund të gënjejë popullin shqiptar përmes premtimeve qesharake, duket njësoj si të thuash, se njerëzit besojnë që pas ngjyrave dhe bojërave gjithë shkëlqim të pallateve në Tiranë, nuk qëndrojnë muret e vjetra të ndërtuara në diktaturë.
Shqiptarët por edhe ndërkombëtarët presin largimin e Sali Berishës si kryeministër, si mundësi e vetme për të pasur reforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse në vend.
Elektorati i majtë, madje dhe ai përtej të majtës dhe të djathtës po sheh çdo ditë se kush ja konsolidoi maxhorancën Berishës pas 2005. Që në fillim deputetë të dalë nga gjiri i PS me metodat e mendjeve të mbrapshta të lidershipit të PS, i dhanë peshqesh 7 deputetë që Ngjela në atë kohë i konsideroi komando të dërguara nga PS për të mbytur mendimin ndryshe brenda PD. Iniciativat dritëshkurtra të lidershipit të ardhur në PS pas largimit të Fatos Nanos, për të sponsorizuar krijimin e grupeve të reja parlamentare brenda të djathtës, ishin lëvizje shumë diletante që nuk kanë të bëjnë me një politikë serioze dhe forcimin e opozitës. Kulmi i papërgjegjshmërisë së lidershipit aktual të PS arriti kur, për faj të tij, gjashtë deputetë të kësaj partie, votuan për zgjedhjen e një Presidenti nga maxhoranca. Kjo gjë i dha mundësinë Berishës, që të rrëmbente të gjithë institucionet drejtuese të shtetit shqiptar, që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën Kushtetuese, KLSH-në, etj. Ndërkohë që lidershipi aktual i PS me papërgjegjshmërinë e tij i ka dhuruar dhe vazhdon t’i dhurojë PD-së pa fund institucionet qendrore të shtetit shqiptar, shqetësohet pa masë për një drejtor rajonal që mund të marrë LSI-ja. Elektorati shqiptar gjithashtu po sheh se çfarë konsekuencë dhe sinqeriteti ekziston edhe në përpjekjet e PS si pjesë e opozitës për rrëzimin e Berishës. Kjo nuk arrihet me lojën e dyfishtë, mes pakteve dhe protestave, mes largimit të ish- Kryeprokurorit dhe besimit tek Kryeprokurori i ri, mes hetimit në kongresin amerikan për çështjen e trafikimit të armëve dhe mungesës së vullnetit politik nga PS për të mbështetur propozimin e tre partive politike për komisionin hetimor parlamentar për Gërdecin dhe trafikimin e armëve nga qeveria “Berisha”. Pavarësisht nga definicioni që ekziston për politikën në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti, një gjë nuk duhet harruar: Në momente të rëndësishme si ky që po kalon Shqipëria, transparenca dhe vendosmëria për të realizuar objektivin politik është jo vetëm e nevojshme, por edhe e domosdoshme. Nëse për PS-në, vërtet ky objektiv politik është fitorja kundër Berishës në zgjedhjet e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›