Nesër e ke radhën ti!
• Edmond Tupja
Po, i dashur lexuesi im i gjorë, nesër e ke radhën ti! E ke radhën ti të goditesh me armë të ftohtë apo armë zjarri nga një kriminel, një i sëmurë mendor apo thjesht një shpellar i papërgjegjshëm. Ashtu si u godit pardje kardiokirurgu i njohur, kolegu dhe miku im Ali Refatllari. Madje, me siguri, radhën e kam edhe unë. Me një fjalë, nesër radhën e kemi të gjithë ne që besojmë tek diçka e mundshme, më e mirë, më e bukur në këto kohëra të turbullta pasigurie dhe frike, kur pula nuk ha më gurë, por njeriu ha njeriun.
Pak rëndësi ka profesioni yt i nderuar, lexuesi im: mjek, arkitekt apo arsimtar, nesër e ke radhën ti! Shkrimtar, piktor apo aktor, nesër e ke radhën ti! Gazetar, përkthyes apo botues, nesër e ke radhën ti! Agronom, veteriner apo inxhinier, nesër e ke radhën ti! Hidraulik, marangoz apo elektricist, nesër e ke radhën ti! Bujk, bletar apo blegtor, nesër e ke radhën ti! Ti, unë, ne, që punojmë dhe besojmë tek profesioni që ushtrojmë dhe që i jep kuptim jetës sonë. Ashtu siç besonte e beson ende në profesionin e tij, ma ha mendja, edhe Ali Refatllari. Por më dramatikja është se thika që e goditi nuk ka goditur vetëm atë, sepse, nëse nesër Ali Refatllari, pikërisht për shkak të goditjes me thikë, nuk do të jetë më në gjendje të ushtrojë profesionin e kardiokirurgut, atëherë do të kenë vdekur gjithë ato e ata që ai do të kishte mundur të operonte për t’u zgjatur jetën e për t’i shpëtuar nga vdekja e parakohshme.
Ne jemi, pra, të gjithë të pambrojtur. Të paktën realiteti ynë i sotëm e dëshmon këtë më së miri. Në këto rrethana, kush duhet vallë të na mbrojë? Shumëkush do të përgjigjej aty për aty: Shteti me organet e tij kompetente! Por ja që shteti është treguar e vazhdon të tregohet shpesh i paaftë për të na mbrojtur. Ç’na mbetet atëherë neve të pambrojturve? Të armatosemi? A i përfytyroni dot mjekët, pedagogët, shkencëtarët të ushtrojnë profesionin e tyre të veshur me xhup antiplumb dhe me pistoletë në brez? Të pajtojmë secili roje vetjake? A i përfytyroni dot mjekët, pedagogët, shkencëtarët të ushtrojnë profesionin e tyre rrethuar me roje? Të blindojmë spitalet, universitetet e qendrat kërkimore-shkencore dhe të jetojmë si në rrethim apo si në gjendje lufte? A i përfytyroni dot mjekët, pedagogët, shkencëtarët të ushtrojnë profesionin e tyre në kushte të tilla bunkerizimi të skajshëm?
Siç e vunë me të drejtë në dukje disa media serioze këto ditët e fundit duke përmendur raste të ngjashme (të paktën tri që nga viti 2003) me atë që sapo i ndodhi kardiokirurgut Ali Refatllari, kemi të bëjmë as më pak e as më shumë me një orvatje të paralajmëruar për vrasje mjekësh. Madje, më duket e udhës të theksoj se Ali Refatllari nuk është vetëm kirurg, ai është edhe pedagog; në këtë kuadër, orvatja për vrasjen e tij është dyfish e dënueshme: si mjek, ai është i dobishëm për shoqërinë sepse shëron dhe bën çmos për t’i shpëtuar të sëmurët nga vdekja; si pedagog, ai është po aq i dobishëm për shoqërinë sepse formon kirurgë të ardhshëm që do të kenë për detyrë të shërojnë e të shpëtojnë jetë njerëzish.
Gjithsesi, një kohë ka për të ardhur, që mjerisht më duket fort e largët, kur brezat e ardhshëm të vendit tonë do ta gjykojnë ashpër shoqërinë dhe shtetin shqiptar të fillimit të mijëvjeçarit të tretë për pafuqinë e tyre për të mbrojtur elitat jo vetëm në fushën e mjekësisë e të arsimit, por edhe në fushat e tjera të veprimtarisë njerëzore. Brezave të ardhshëm do t’u vijë rrjedhimisht turp për shtetin dhe shoqërinë në të cilën jetuan gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. D.m.th. për ne që, në një mënyrë apo në një tjetër, me heshtjen, indiferentizmin, konformizmin tonë, lejuam të palejueshmen, të papranueshmen...
Dhe për t’u kthyer te titulli i këtij shkrimi, besomë, lexuesi im i gjorë, nesër e ke radhën ti, d.m.th. edhe unë!