E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Turqia do ndihmojë në zhvillimin e industrisë së turizmit”

• Turqia do të ndihmojë në zhvillimin e industrisë së turizmit në vend. Për këtë arsye, dy ministrat e Turizmit, Pango dhe Gunay, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.

Të dy ministrat ranë dakord që turizmi është një mjet i rëndësishëm dhe efektiv edhe nga pikëpamja e afrimit edhe më shumë mes dy popujve tanë. Ministri Pango pasi ftoi investitorët turq për investime në Shqipëri, bëri një përmbledhje të arritjeve në fushën e turizmit, ku theksoi se 2007 ka pasur një bum turistik, shifër e cila i tejkaloi 2 milionë turistë, (me një rritje 30% më shumë se 2006 dhe të ardhura mbi 2 bilionë euro), duke përfshirë këtu dhe emigrantët shqiptarë, të cilët kalonin pushimet në Shqipëri. Në Shqipëri theksoi ministri Pango, është punuar mjaft në fushën e promocionit ku këtë vit spoti televiziv në kanalin prestigjioz CNN zë një vend të rëndësishëm. Po ashtu shtoi Pango, kemi arritur përmirësimin e infrastrukturës, ku vitin që vjen përfundon rrjeti rrugor i jugut të vendit. Ndërsa ministri turk, Gunay, nga ana e tij nënvizoi: “Kam bindjen se turizmi është një mjet i rëndësishëm dhe efektiv edhe nga pikëpamja e afrimit edhe më shumë me njëri-tjetrin të njerëzve të vendeve tona, të cilat kanë një të kaluar të përbashkët historike dhe lidhje kulturore dhe për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ekzistuese. Unë kam besimin që Shqipëria, e cila ka një potencial të madh në turizëm, do të mund të bëhet një qendër e re graviteti dhe dua të shpreh që ne do ndjejmë kënaqësi të madhe nga ndarja e njohurive tona me ju dhe përvojave që kemi në fushën e turizmit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›