E Shtunë, 31 Tetor 2026

Proporcionali rajonal përçan PD-në

• Përkrahja publike nga ana e kryeministrit Berisha të sistemit proporcional rajonal ka shkaktuar debate të mëdha në grupin parlamentar të PD-së.

ADI SHKEMBI

 Për rreth 90 minuta në mbledhjen me dyer të mbyllura, kreu i qeverisë është përballur me pakënaqësitë e deputetëve demokratë lidhur me këtë sistem. Mbledhja
Fillimisht Berisha është shprehur kundër ndryshimit të Kushtetutës në nenin 93, që ka të bëjë me marrjen e kompetencave të presidentit lidhur me kundërfirmosjen e dekreteve. Por në këtë mbledhje jashtë radhe, çështja, e cila pritej të ngjallte më shumë debate ishte pikërisht ajo e reformës zgjedhore. Më shumë se 10 deputetë demokratë kanë kërkuar shpjegime nga kreu i qeverisë për të mirat e sistemit proporcional, ndërkohë që nuk kanë hezituar të hedhin edhe argumentet e tyre kundër këtij sistemi të propozuar nga Partia Socialiste. Burime brenda kësaj mbledhjeje bëjnë të ditur se, deputeti Dajçi është shprehur kundër sistemit proporcional rajonal për shkak se sipas tij, me këtë sistem njerëzit nuk e njohin deputetin për të cilin do të votojnë. Nga ana tjetër, sipas Dajçit, ky sistem demotivon edhe deputetët për të bërë fushatë në rajonet ku janë vendosur për shkak të renditjes në listën përfundimtare që do të miratohet në kryesinë e PD-së. Ndërsa deputeti i kryeqytetit Edi Paloka është shprehur se, “nuk është e thënë që partia në çdo rast të marrë më shumë vota se kandidati, mund të ndodhë edhe e kundërta”. Njëkohësisht sipas deputetëve Babasi, Zogaj, Uka, Shehi, sistemi proporcional është një sistem i majtë, ndërkohë që maxhoritari është sistem i djathtë. Ndërkohë që deputeti Biberaj është shprehur që, varianti më i mirë do të ishte ai i unifikimit të votës së kandidatit me atë të partisë. Duke iu referuar edhe historisë, Biberaj është shprehur se, e djathta përfaqësohet me personalitete, ndërkohë që e majta votohet si krah politik. Njëkohësisht edhe deputeti Karapici ka shprehur pakënaqësi lidhur me sistemin proporcional rajonal. “Sistemi maxhoritar ka që në vitet 1700 dhe është bërë nga e djathta, ndërsa e majta për shkak se nuk ka pasur personalitete e vendosi proporcionalin në vitet 1900”, mësohet të ketë thënë deputeti Karapici në këtë mbledhje. Por debati ka vazhduar deri në atë pikë sa deputetët i kanë kërkuar shpjegime kryeministrit se kush i ka bërë llogaritë që e nxjerrin fituese PD-në me këtë sistem vitin e ardhshëm.
Berisha
Nga ana tjetër kreu i qeverisë, i mësuar së fundi edhe në Parlament teksa ka debatuar me të gjithë deputetët e opozitës, ka argumentuar qëndrimin që duhet të mbajë PD-ja, pas çdo pakënaqësie të deputetëve demokratë. Burimet bëjnë të ditur se, kreu i qeverisë është shprehur pro sistemit proporcional rajonal për shkak se, sipas tij, ky sistem zhduk përfundimisht fenomenin e “Dushkut”. Njëkohësisht Berisha është shprehur se, janë bërë të gjitha llogaritë dhe PD-ja nuk rezulton të humbasë asgjë nëse në zgjedhjet e ardhshme do të votohet pikërisht me sistemin e propozuar nga PS-ja. “S’mund të vazhdojmë më me këtë sistem, duhet eliminuar patjetër fenomeni i ‘Dushkut’. Megjithatë ne do të diskutojmë prapë, do mblidhemi edhe me aleatët. Ne i kemi bërë të gjitha llogaritë dhe rezulton se, të gjitha forcat politike janë të barabarta me sistemin proporcional rajonal. Ky është sistem neutral”, mësohet të ketë thënë kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme.

Patozi: Përkrahim variantin e opozitës

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha dje në përfundim të mbledhjes me deputetët e PD-së, se kjo forcë politike do të përkrahë çdo propozim të opozitës përsa i përket reformës zgjedhore. “Ne e kemi shpallur tashmë që do të mbështesim çdo propozim që vjen nga opozita lidhur me sistemin zgjedhor dhe i përmbahemi këtij qëndrimi”, theksoi Patozi në përfundim të mbledhjes. “Grupi parlamentar diskutoi me konstruktivitet diskutimet e fundit politike në vend, ku sigurisht vend kryesor zunë propozimet për ndryshimet kushtetuese të ardhura nga PS-ja, por dhe propozimet tona”, u shpreh më tej Patozi. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi propozimet e PD-së për ndryshimin e Kushtetutës Patozi tha se, “propozimet tona janë bërë publike, janë paraqitur në Komisionin e Ligjeve”. Sipas tij, ato mund të ndryshojnë dhe përmirësohen. Përsa i përket diskutimeve me aleatët Patozi shtoi se, “ne jemi në një komunikim të vazhdueshëm dhe respekt të vazhdueshëm për aleatët dhe unë besoj se shumë shpejt do të ketë takim të nivelit të lartë me ta”.

Meta: Koalicioni i ri politik në opozitë me Berishat

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Erisa Xhixho, zhvilluan dje një takim me banorët e njësisë bashkiake nr.7. Gjatë këtij takimi, kryetari i LSI-së, Meta, ka shpërndarë me dhjetëra karta anëtarësimi. Duke përshëndetur të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, Meta i është përgjigjur interesit të qytetarëve për situatën më të fundit politike në vend, veçanërisht për paktin PD-PS dhe për reformën zgjedhore. “Për të mos lejuar që të bëhet pazar me votën e lirë të shqiptarëve, ne shumë shpejt do të lançojmë koalicionin e ri politik, i cili do të jetë në opozitë jo vetëm me Sali Berishën, por me cilindo që e imiton atë. Koalicioni i ri, të cilin kemi iniciuar, ka si qëllim pikërisht përfaqësimin dhe respektimin e çdo vote të socialistëve të ndershëm e progresistëve që nuk ndjehen të respektuar dhe të vlerësuar në partitë aktuale”, tha Meta. Kreu i LSI-së tha se dështimi i realizimit të reformës gjithëpërfshirëse zgjedhore, ashtu siç ishte edhe marrëveshja midis partive opozitare, shkon përtej interesit apo rëndësisë për partitë e majta dhe opozitare, problemi shkon dhe prek vetë thelbin dhe palcën e sistemit tonë demokratik. “Modeli që ju keni dëgjuar kohët e fundit, ai spanjoll që lidershipi PS-PD po gatuan në mënyrë të fshehtë dhe ku synonin ta paraqisnin në një seancë blic në Parlament, është një komplot i vërtetë për demokracinë shqiptare”, u shpreh Meta. Sipas tij, koncepti i lidershipit PD-PS nuk ka rëndësi se dëmtohet rëndë demokracia, nuk ka rëndësi që sistemi që po përgatitet prej tyre cenon frymën e Kushtetutës, por e rëndësishme, sipas tyre, është që lidershipi i këtyre dy partive të uzurpojë përfaqësimin e shqiptarëve në Parlament në mënyrë të pandershme dhe njëkohësisht këta dy liderë të kontrollojnë gjithçka që ndodh brenda partive të tyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›